Nga Gazeta ‘Si’- Mazhoranca ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor në lidhje me gjetjet e Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) për përdorimin e fondeve nga programi IPARD.
Deputeti demokrat dhe kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi akuzoi shumicën se po shmang debatin sipas tij për të mbrojtur interesa të lidhura me figura të njohura të botës së krimit dhe biznese të dyshimta.
“Nuk kemi ndjekur asnjë rrugë tjetër përveç asaj që ju vetë keni ndjekur më parë, kur ngritët komisionin ‘Xhafa’. Kërkesa jonë është e qartë dhe legjitime. Por kur lexohet gjysmë dhe me qëllimin për ta rrëzuar, rezultati është ky që po shohim sot,” deklaroi Bardhi në Konferencën e Kryetarëve, të zhvilluar me dyer të mbyllura.
Duke iu drejtuar direkt përfaqësuesve të mazhorancës, Bardhi theksoi se qëllimi i opozitës është që fondet e BE-së të shkojnë realisht për fermerët shqiptarë dhe jo për individë të lidhur me krimin.
“Ju nuk doni debat, sepse babai i Suel Çelës, një person i shpallur si kreu i një organizate kriminale, ka përfituar 150 mijë euro nga këto fonde. Ne kërkojmë që këto para të shkojnë te fermerët e Bradasheshit, të Divjakës, të Fierit… por ju keni hallin mos dalin dokumentet. Ne i kemi dokumentet, mos u shqetësoni,” shtoi Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




