Nga Gazeta ‘Si’- Konferenca e Kryetarëve rrëzoi kërkesat e opozitës për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore ndaj ARRSH-së për shembjen e disa akseve rrugore në vend dhe AKSHI-t.
Kreu i Grupit Parlamentar te PD-së, Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën, se me votë politike sipas tij po pengon opozitën që të luajë rolin e saj.
Ai theksoi se kjo është kërkesa e pestë për Komisione hetimore që iu rrëzohet, duke ironizuar më pas kryeministrin për akuzat ndaj opozitës se po pengon integrimin në BE, ndërkohë që siç shtoi ai, në fakt është vetë Rama me veprimet e tij, që po e cenon këtë proces.
“Me një vendim antikushtetues, mazhoranca rrëzoi dy kërkesa për komision hetimore dhe zhvillimin e një mocioni me debat mbi raportin e DASH për klimën e investimeve në Shqipëri. Bëhet kërkesa e pestë për komision hetimor që mazhoranca me votë politike pengon opozitën të kryejë kontroll parlamentar dhe mocioni i 7 me debat që refuzohet, një e drejtë që rregullorja ia njeh deputetëve të opozitës. Në fakt me veprime konkrete mazhoranca po vonon procesin e integrimit.
Në raportin 2025 të KE, ndër të tjera theksohet se parlamenti pengohet nga mbikëqyrja e kufizuar ndaj ekzekutivit. Në 6 muaj funksionimi asnjë mekanizëm kontrolli nuk është pranuar nga maxhoranca.”, tha ai.
Ai u ndal më konkretisht në Komisionin për rrugët, teksa tha se ministria e Infrastrukturës “gllabëron” miliona euro çdo vit, ndërkohë që rrugët shemben me shiun e parë.
Sipas tij, maxhoranca ka një strategji të qartë për të mos pranuar kërkesat e tyre dhe për të zëruar rolin e kuvendit.
“Refuzohet me strategji të qartë për të zeruar rolin kontrollues të parlamentit dhe të opozitës. Dhe më pas flasim për pengim të integrimit. Integrimi pengohet ku institucionet shndërrohen në fasadë të qeverisë, dhe nuk funksionon sipas standardeve evropiane. Kur në vend që të lejojmë prokurorinë të bëjë punën e vet, ngrenë kartonat e kuq për ta rrëzuar drejtësinë. Të gjithë këto veprime penguese ndaj integrimit, kanë një autor që është Rama dhe mazhoranca”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje