Politike

PS rrëzoi kërkesën për shkarkimin e Peleshit, Bardhi: Të vazhdojë detyrën si kryevartës i Ballës

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar përmes një postimi në Facebook, pasi Kuvendi rrëzoi kërkesën e opozitës për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi.

Me 79 vota kundër dhe 10 pro Parlamenti vendosi që të rrëzojë kërkesën e Partisë Demokratike.

Lidhur me këtë votim, Bardhi ironizon deputetët e mazhorancës duke thënë se “Niko Peleshi mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë me votën e 79 memec-deputetëve, por ai vazhdon në këtë funksion si Kryevartës i Taulant Ballës, jo si Kryetar i Kuvendit të 140 deputetëve”.

Demokrati thekson se Peleshi hyri tashmë në historinë e parlamentarizimit të vendit si Kryetari për të cilin u kërkua shkarkimi nga detyra pa mbushur as një muaj në detyrë.

“U zgjodh me 85 vota e u mbajtë në detyrë me 79 vota një muaj më vonë. Këtë arritje historike në vetëm 1 muaj mund ta ketë vetëm një funksionar kushtetues i paaftë dhe i padenjë për një detyrë të lartë shtetërore”, përfundon Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë