Politike

PS regjistrohet për zgjedhje, KQZ i përgjigjet opozitës me komisionerët apartiakë


Partia Socialiste dorëzon në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrim në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Mësohet se letra në emër të PS-së, e datës 8 prill, mban firmën e sekretares për Koordinimin Elektoral, deputetes Blerina Gjylameti dhe i kërkon KQZ-së që ta regjistrojë si subjekt zgjedhor.
Me një akt të tillë tregon se PS-ja është e vendosur që të shkojë drejt zgjedhjeve të 30 qershorit, pavarësisht se opozita nuk ka dhënë një qëndrim të prerë, nëse do të marrë pjesë në këtë betejë elektorale ose jo. Drejtuesit e PS-së, që nga kryesocialisti Edi Rama, si dhe sekretarët e tjerë socialistë e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre se do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale pavarësisht nëse PD, LSI, PDIU, PAA dhe PR do të vendosin ta bojkotojnë procesin.

Afati për regjistrimin për në zgjedhjet e 30-qershorit është deri në 21 prill, ndërsa mësohet se deri më tani nuk është regjistruar asnjë nga partitë opozitare parlamentare.
Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate janë deri më tani të vetmet parti parlamentare që kanë kërkuar zyrtarisht në KQZ të regjistrohet në zgjedhjet lokale që po vijnë. Ndërkohë që në total, deri tani, KQZ ka regjistruar 20 parti politike. Për PSD-në e Gjinushit, e cila përfaqësohet në parlament me deputetin Tom Doshi, KQZ-ja pritet ta marrë vendimin në mbledhjen e nesërme.

Faksimile e kërkesës së PS-së drejtuar KQZ-së për t’u regjistruar në zgjedhjet lokale të 30 qershorit


Ndërsa një tjetër subjekt politik që pritet të regjistrohet në zgjedhje është Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë, e drejtuar nga Arian Galdini. Kjo parti më parë ka qenë edhe aleat i PD-së në zgjedhjet e mëparshme. Në KQZ janë regjistruar edhe disa parti të tjera të cilat nuk janë në Parlament, dhe që më herët janë rreshtuar në koalicion me PS-në. Afati përfundimtar për regjistrimin e partive politike pranë KQZ-së është data 21 prill.

KQZ përgatitet për komisionerë jopolitikë
Sa i përket përgatitjes së procesit zgjedhor të 30 qershorit, KQZ-ja po has në kundërshtimin e partive të opozitës për paraqitjen e anëtarëve të komisioneve të niveleve të dyta, siç janë Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë dy subjektet nga kampi i opozitës që duhej të kishin paraqitur anëtarët e KZAZ-ve, por deri më tani kanë refuzuar, duke tejkaluar afatin e parashikuar ligjor.
Për t’iu përgjigjur ndonjë bojkoti të mundshëm nga kampi i opozitës, KQZ-ja po përgatitet për shkuar në zgjedhje me komisionerë apartiakë për të plotësuar vakancat që krijohet nga refuzimi i PD-së dhe LSI-së. Në mbledhjen e nesërme KQZ-ja ka në rendin e ditës miratimin e listës së emërore të shtetasve të cilët mund të emërohen kryesisht nga KQZ për plotësimin e vakancës në KZAZ.
Gjithashtu në rendin e ditës është edhe emërimi kryesisht i anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019. Disa ditë më parë, KQZ-ja ka miratuar listën e propozuar nga ana e Partisë Socialiste për anëtar të KZAZ-së.

Mandatet e deputetëve dhe djegia listës pasuese
KQZ do të japë mandatet për dy deputetët e rinj nga radhët e opozitës. Halil Jakimi i listës së PD-së për qarkun e Dibrës do të marrë mandatin e Dhurata Çupit. Arlind Çaçani është kandidati tjetër i PD-së në Qarkun e Korçës që pritet të marrë mandatin e deputetit. Me dhënien e këtyre dy mandateve, Kuvendi pritet të shkojë në 102 nga 140 deputetë që gjithsej.
Procesi i vlerësimit të vakancave në Kuvend po shoqërohet edhe me refuzimin e kandidatëve për listën shumemërore të PD dhe LSI. Janë 8 kandidatëve për deputetë që KQZ-ja do të shpallë moszgjedhshmërinë, për shkak se ata nuk i janë përgjigjur kërkesës së këtij institucioni për të paraqitur deklaratën e Dekriminalizimit. Ligji detyron kandidatët që të riparaqesin deklaratën e Dekriminalizimit brenda 10 ditësh, nëse nuk zbatohet atëherë përjashtohen nga e drejta për të qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Arvit Bushati; Kristiano Koçibelli; Lorenc Danaj; Shkëlqim Fortuzi; Luigj Gjergji; Klajti Reçi janë kandidatët nga lista e PD-së që kanë refuzuar marrjen mandatit. Ndërsa nga LSI-ja janë Brunilda Paskali dhe Edlira Çekrezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë