Një ditë më parë, pas takimit me aleatët, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të shprehte nevojën e një reforme të thellë politike, e jo vetëm zgjedhore. Një qëndrim i tillë, disi më i zbutur, ku nuk përmendte ndonjë datë për protesta u argumentua me faktin e një mundësi për kompromis.
Por nga mazhoranca mbërriti sot përgjigja e ofertës së opozitës. Ministrja e Shtetit, njëherësh edhe zëdhënësja e Qeverisë Elisa Spiropali e cilëson këtë si një skenar të opozitës, pasi sipas saj PD do të nisë protesta pikërisht në tetor, në muajin ku BE-ja do të japë vendimin për negociatat.
“Opozita ka vendosur të shtyjë për në mesin e tetorit nisjen e protestave masive, ndërsa do të përgatisë dy platforma alternative për reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi”, deklaroi mbëeme Lulzim Basha! Shumë domethënëse kjo frazë, për këdo që akoma nuk e ka kuptuar apo besuar se ku fle lepuri qe prodhoi gjithë zallamahinë e gjysmës së parë të vitit! E para, frika nga çelja e negociatave dhe përpjekja ekstreme për shkatërrimin e imazhit të Shqipërisë! Ja, fare e qartë, në mes të tetorit kur në fakt të gjithë duhet të bënin avokatin e Shqipërisë në prag të vendimmarrjes së Këshillit Europian me 18 tetor, Lulzim Basha do të dalë përsëri në rrugë për të prodhuar foto e lajme në mediat ndërkombëtare mbi Shqipërinë e zhytur në të zeza që nuk meriton asgjë! Drejtësia, e dyta dhe në fakt e thella arsye e dukshme qe ka krijuar lepurin ne barkun e opozitës, është po ashtu në frazën koncentrat që shpjegon edhe për ata qe s’kanë sy për të parë e vesh për të dëgjuar se ku fle lepuri!”, tha Spiropali me anë të një video postimi në Facebook.
Ajo ironizon edhe ofertën e PD-së për ofertën për reformën në drejtësi, duke theksuar se e tërë bota e ka miratuar dhe po pret zbatimin e saj.
“Asgjë nuk duket se ka kuptuar e mësuar akoma kryetari i PD nga humbja katastrofike dhe rrënimi dramatik që i solli partisë më të madhe të opozitës me vërbërinë e mëndjelehtësinë e tij proverbiale! Por le të shpresojmë që drita e arsyes do të ndizet edhe në kokën e tij dhe së paku në grupin udhëheqës të asaj partie, për të mirën e të gjithëve. Ne s’bëjmë asnjë hap mbrapa dhe nuk njohim asnjë platformë alternative për Reformën ne Drejtësi, kështu që do të jetë mund i harxhuar kot ajo platformë se do të mbetet në sirtarin e ëndrrave me sy hapur të Lulzim Bashës”, theksoi Spiropali .
Ndërsa mazhoranca ka vetëm një opsion për bashkëpunim me opozitën dhe ajo mbetët reforma në drejtësi. “Po, jemi gati të ulemi për Reformen Zgjedhore dhe të kthejmë në ligj rekomandimet e raporteve të fundit të OSBE/ODHIRit, as më shumë as më pak. Është e drejta e kryetarit të PD te ëndërrojë përmbysje të bazës ligjore të zgjedhjeve, por kjo përsëri do të mbetet një ëndërr në sirtar. Ne nuk kemi kohë dhe as predispozitë për të humbur kohë me fantazitë e atyre që duan të bëjnë çorap çdo gjë, sepse nuk fitojnë dot zgjedhjet. Por kemi të gjithë predispozitën të hapim një Dialog konstruktiv dhe të bashkëpunojmë me të gjithë, përfshirë edhe Lulzim Bashën, për të reformuar bazën ligjore të zgjedhjeve. Viti 2021 nuk është larg, prandaj le të shpresojmë që Lulzim Basha dhe PD do ta lënë të shkuarën për t’u marrë me të ardhmen”, theksoi Spiropali.
PD, Vokshi: Nëse do të kishte drejtësi të pavarur, ti do të ishe në burg
Këtyre qëndrimeve të ministres së Shtetit, i është kundërpërgjigur ish-deputetja Albana Vokshi. Ajo thekson se se pa pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk hapen negociatat dhe ministrja Spiropali shpif.
“Shpifjet dhe propaganda e antiopozitare e Edi Ramës, përmes elisave të tij, nuk e ndryshojnë dot të vërtetën Nr.1 se pa zgjedhje të lira e të ndershme nuk ka hapje të negociatave. Shpifjet dhe propaganda antiopozitare nuk ndryshojnë dot as të vërtetën Nr.2 se OSBE/ODIHR konfirmoi se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje demokratike. Rastet e kriminelëve në Bashkitë e Shkodrës dhe të Vorës, Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku, treguan se Edi Rama e ka lidhur pazgjidhshmërisht fatin e tij politik me krimin. E vërteta Nr. 3 është se Elisa Spiropali e di se me një drejtësi të pavarur hajdutja e 5 milion eurove në dogana, përfundon në burg, njësoj si shefi i saj politik i bandave dhe kriminelët e tjerë me të cilët ata kanë ardhur dhe qëndrojnë në pushtet. Elisat e dinë se Edi Rama është një kufomë politike apo siç kanë nisur t’i thonë disa të tjerë “dead man walking”. Bashkë me shqiptarët, ne nuk do ta lejojmë ta çojë edhe Shqipërinë në humnerën ku po bie vetë”, theksoi Vokshi me anë një postimi në Facebook.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.