Politike

PS propozon krijimin e ‘burgjeve të hapura’. 5000 të dënuar mund të punojnë. PD: I rrezikshëm dhe elektoral

Nga Gazeta ‘SI’ – Deputeti socialist Nasip Naço ka prezantuar në komisionin e Ligjeve një draft, me qëllim lehtësimin e kushteve të izolimit për të dënuarit dhe uljen e kostove të tyre.

Gjatë fjalës së tij, Naço, propozoi atë që njihet si “modeli anglez i burgjeve”, krijimi i burgjeve të hapura për të burgosurit me risk të ulët që janë dhe në përfundim të vuajtjes së dënimit, duke i dhënë atyre dhe mundësinë për të lëvizuar e punuar.

“Më i përshtatshëm për rastin e Shqipërisë të paraqitur pranë jush, nga ana ime është parë modeli anglez. Në rastin anglez në kategorinë D të njohur si burgje të hapura akomodohen të burgosur me risk shumë të ulët të cilët gjithashtu janë në përfundim të vuajtjes së dënimit. Të dënuarit në këtë burgje kanë liri lëvizje, mund të marrin pjesë në programe pune dhe ose aktivitet komunitet jashtë burgut. Në këto burgje mund të vendosen persona të cilët vuajnë një dënim me burg me ose pa lirinë me kusht dhe që u ka mbetur më pak se 3 vjet për t’u liruar”, tha Naço.

Naço tha se “qëllimi im është burgu i hapur dhe kur të punësohen do të marrin 40% të pagës dhe 60% të pagës do ta marrë shteti”. “Propozoj që nëse janë te burgu i Sigurisë së Zakonshme dhe nëse kanë bërë 2/3 e dënimit, Komisioni i Vlerësimit të të Dënuarve i kalon në një shkallë më poshtë te burgu i Sigurisë së Ulët dhe që këtu kalojnë te burgu i hapur”, shtoi Naço.

Duke përmendur se ka një raport 1 me 1 për të burgosurit dhe të punësuarit, deputeti socialist tha se ndryshimet garantojnë një kosto më të ulët për buxhetin dhe të dënuarit.

Ndryshimet e propozuara, sipas tij, krijojnë mundësinë që të kemi 1 polic për disa të dënuar.

“T’u garantojmë atyre kushtet për trajtimin me dinjitet dhe në çdo rast respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, dhe nëpërmjet ndryshimit të propozuar të realizohet që në institucionet e sigurisë së lartë të bëhet kalimi nga raporti 1 polic për çdo të dënuar në raportin 1 polic rreth 5 të dënuar. Institucionet e sigurisë së zakonshme të bëhet kalimi nga raporti 1 polic për të dënuar në raportin 1 polic për rreth 5 deri në 10 të dënuar. Në institucionet e sigurisë së ulët të bëhet kalimi nga raporti 1 polic për çdo të dënuar në raportin 1 polic për 5-10-20 të dënuar”, tha Naço.

Sipas Naços, 80 ditë do t’i duhet një të dënuari që t’i vijë një përgjigje nga Komisioni i Vlerësimit të të Dënuarve.

Nga ana tjetër deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi tha se është një ligj me efekt elektorale.

“Një nga ligjet më të rrezikshme të depozituar në Komisionin e Ligjeve. Është në vazhdën e ligjeve me efekte elektorale, por efekti më i vogël, krahasuar me rrezikshmërinë që mund të japë në vend” tha Çupi.

Çupi shtoi se Kodi Zgjedhor ndalon këtë procedurë dhe miratimin e këtij projektligji para zgjedhjeve të 11 majit.

“Ky projektligj sot futet në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare. Në mars burgoset do të hedhin valle si të duan. Kjo dispozitë nuk e barazon liritë e njeriut me sigurinë publike”, tha Çupi.

Socialistët llogarisin që nga ky ligj të përfitojnë rreth 5 mijë të dënuar dhe të paraburgosur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë