Gazeta Si –Komisioni i Ligjeve nisi diskutimet për projektligjin e propozuar nga Ministria e Drejtësisë për ndërmjetësuesit në tregun e pasurive të paluajtshme, që sipas relacionit shoqërues synon të luftojë pastrimin e parave të pista dhe të terrorizmit në këtë sektor.
Projektligji fillestar i propozuar në vjeshtë të vitit të kaluar u kundërshtua nga Shoqata e Ndërmjetësuesve, që tha se përmes atij projekti Ministria e Drejtësisë merrte atributet e një gjykate. Ministria e Drejtësisë u tërhoq nga ai variant dhe në projektin e dorëzuar në Kuvend në dhjetor thotë se ka reflektuar një pjesë të vërejtjes së ndërmjetësuesve.
“Kemi pasur një takim me ndërmjetësuesit. Kemi marrë në shqyrtim disa rekomandime të tyre dhe disa prej rekomandimeve janë marrë në konsideratë dhe janë reflektuar në ligj”, tha relatori i projektligjit, deputeti socialist, Klevis Xhoxhi.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ligji synon të parandalojë depërtimin e elementëve kriminalë në profesionin e ndërmjetësuesit, që sipas relacionit është një hallkë e rëndësishme në transaksionet e me pasuritë e paluajtshme dhe e vetmja e parregulluar me ligj dhe një strukturë kontrolluese.
Por, nga opozita projektligji u interpretua si i padobishëm si për qëllimin, ashtu edhe për rregullimin e tregut.
“Ky ligj nuk bën, sepse filluat dhe mbaruat me terrizimin. Ligj bëhet për të kapur edhe agjencitë e ndërmjetësuesve, sepse i jep rol qendror ministrit të Drejtësisë”, deklaroi deputeti, Saimir Korreshi.
“Duke transferuar barrën te ndërmjetësuesit, këto rregulla kanë pasojë të rëndë për tregun e ndërmjetësuesve, ndërkohë që nuk funksionon pjesa e goditjes së krimit të organizuar, sepse krimi tolerohet. Duke shtuar rregulla dhe vështirësuar një treg, që është një nga tregjet e vetme që funksionon në një farë mënyre, i vëmë nën ministrin dhe e zgjidhëm problemin?!”, tha Bylykbashi.
Ministria e Drejtësisë tha se projektligji është marrë sipas modelit të Qipros dhe Maltës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




