Politike

PS-PD dakordësohen për komisionin e Reformës Zgjedhore, nga një vend për partitë e vogla

Nga Gazeta ‘Si’- Opozita dhe mazhoranca kanë arritur një dakordësi për përbërjen e komisionit që do të udhëheqë reformën zgjedhore, një marrëveshje që synon të kënaqë palët kryesore politike, por edhe të garantojë përfaqësim për partitë e vogla.

Sipas marrëveshjes së arritur, Partia Socialiste do të mbajë shtatë vende nga tetë që i takojnë shumicës, ndërsa një karrige do t’i lihet në dispozicion Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.

Nga ana tjetër, opozita ka rënë dakord të ndajë vendet e saj si më poshtë: pesë për Partinë Demokratike, një për Partinë Republikane, një për Partinë e Lirisë. Si edhe një vend për deputetin Agron Shehaj.

Sipas marrëveshjes, Komisioni do të ketë formulën 8+8 dhe do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë me të drejtë vetoje. Krijimi i tij pritet të formalizohet në seancën plenare të 30 tetorit.

Sjellim ndërmend se lidhur me komisionet e Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë për ndarjen Territoriale, ka patur mjaft debate mes pozitës dhe opozitës, me secilën palë që dërgoi propozimet e veta në Parlament.

PS propozonte që Komisioni për Reformën Zgjedhore të përbëhet nga 16 anëtarë, me ndarje të barabartë: 8 përfaqësues nga PS dhe 8 nga partitë opozitare. Komisioni të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga PS dhe një nga PD, duke garantuar një balancë politike në drejtimin dhe vendimmarrjen.

Partia Demokratike nga ana tjetër propozonte gjithashtu një komision me 16 anëtarë, ku tetë i përkasin PS-së, gjashtë PD-së dhe nga një përfaqësues nga grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim” dhe grupi parlamentar i Partisë së Lirisë. Por mesa duket, në fund pas negociatave, PD ka vendosur të lirojë edhe një vend për partinë Mundësia, të Agron Shehajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë