Politike

PS nuk pranon Ndregjonin për Avokat të Popullit, Berisha në Kuvend: Plotëson çdo kriter!

Nga Gazeta ‘Si’- Seanca plenare e ditës së sotme ka nisur me ankesa nga opozita e cila kërkoi votimin e kandidaturës së propozuar, Besim Ndregjoni, për postin e Avokatit të Popullit.

Kreu i PD-së, Sali Berisha u shpreh se kandidatura e Avokatit të Popullit nuk votohet nga PS për shkak se është propozuar nga opozita.

Ai tha se sipas tij Ndregjoni plotëson të gjitha kriteret duke kërkuar që votimi të bëhet sot.

“Problemi i avokatit të popullit shtyhet prej 1 viti, për shkak se ju nuk pranoni kandidaturën e opozitës ndonëse plotëson çdo kriter. Ramaduro nuk pranon kandidaturën që paraqet opozita, ndonëse ai plotëson çdo kriter.

Rregulli ka qenë që avokati propozohet nga opozita dhe ju kërkoni të impononi përmes përjashtimeve pa asnjë kriter të kandidaturave që paraqet opozita, ti impononi kandidaturën. Për ju nuk pranohet vetëm se ka vitet e persekutimit dhe burgosjes politike”, tha Berisha.

Por, ministri Taulant Balla tha se nuk ka pasur konsensus dhe theksoi se opozita nuk mund të vijë në seancë dhe të kërkojë një emër me këmbëngulje, por duhet të ulen dhe të ndërtojnë një proces.

“Nuk shkruhet asgjëkund që avokati i popullit i takon opozitës, por ka një rregull të pashkruar që e kemi respektuar gjithmonë, vetëm në një rast të vetëm që erdhi për pasojë të një marrëveshje politike më 17 maj 2017. Opozita ka pasur ekskluzivitetin e propozimit të një emri.

Në të gjitha rastet e tjera ka pasur një proces, modeli më i mirë ka qenë ai i vitit 2012, kur grupi i PS në opozitë në atë kohë, hap një proces të hapur ku konkurruan një numër i konsiderueshëm kandidatësh dhe ka patur konsultim me grupin e mazhorancës për të rënë dakord me emrin. Ju nuk mund të vini, o ky o ramë e vdiqëm. Peleshi në mënyrë të përsëritur, Çuçi dhe unë u kemi thënë ejani të ndërtojmë një proces. Ju mund të sillni 4 kandidatura, hiqen 2 me propozim të mazhorancës dhe shkohet me dy kandidaturat e mbetur për t’u votuar. Mos harroni asnjëherë që kërkohen 84 vota, në këtë legjislaturë nuk janë. Nuk keni dashur vetë ta zgjidhni”, tha Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë