Politike

PS kundër Komisionit për Portin e Durrësit. Peleshi: Kompetencën e ka Gjykata Kushtetuese

Nga Gazeta 'Si' - Partia Socialiste ka dalë kundër ngritjes së Komisionit Hetimor për Portin e Durrësit. Reagimi i kreut të Grupit të PS-së, Niko Peleshi ka ardhur në Konferencën e Kryetarëve pas kërkesës së PD-së.

Peleshi u shpreh se Parlamenti nuk mund të ngrejë komision hetimor për të kontrolluar vetveten, pasi sipas tij, i takon Gjykatë Kushtetuese.

“Parlamenti nuk mund të ngrejë një komision hetimor për të kontrolluar vetveten, pasi këtë kompetencë, sipas Kushtetutës, e ka Gjykata Kushtetuese. Është e njohur që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ligjshmërinë e këtyre procedurave në janar”, u shpreh Peleshi.

Kreu i Grupit të PS theksoi se ky është një veprim politik në prag të zgjedhjeve, për të krijuar një situatë të pavërtetë dhe të paqëndrueshme.

Ai gjithashtu shtoi se procedurat e këtij projekti kanë kaluar të gjitha hapat e kontrollit parlamentar gjatë miratimit në Kuvend.

“Së fundmi, periudha zgjedhore kufizon funksionimin e komisioneve hetimore, pasi Parlamenti “ngrin” gjatë kësaj kohe, duke e bërë të pamundur ngritjen dhe funksionimin e komisionit në kushtet e propozuara”, deklaroi Peleshi.

Kjo deklaratë ka ngjallur reagime nga opozita, e cila këmbëngul për transparencë mbi këtë çështje.

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi u shpreh se mazhoranca është kundër biznesit pasi jep tendera pa garë.

“Ne nuk jemi kundër biznesit siç ju thoni. E kundërta, ajo qe bëni ju është kundër biznesit. Jepni koncesione, tendera e leje pa gare. I jepni duke ngrenë qofte e mish në Tirane e Dubai. Ne jemi që ekonomia të jetë garë e konkurrueshmeri e jo shije e një personi apo në duart e 5 personave.

Në populizëm dhe në vjedhje të grupit të strukturuar kriminal nuk ju konkurrojmë. Kjo është fusha juaj. Ne kujdesimi për qytetarët dhe jemi krah shqetësimit dhe interesit të tyre”, tha ai.

Grupi Parlamentar i PD ka bërë një kërkesë për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Kontrollin e Ligjshmërisë në Procedurat e (i) Miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”; (ii) Shitjes së koncesionit të menaxhimit të portitkompanisë Schapha d.o.o.; dhe (iii) Ndërtimit të portit të ri në Porto Romano. Kërkues janë 35 deputetë nga opozita që i janë drejtuar me një shkresë kryeparlamentares Elisa Spiropali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë