Politike

Opozita “ngrin” gjithçka: Dialog nga fillimi! 7 pika për “Drejtësinë”

Mundësia e fundit, të paktën në kalendarin zyrtar të Kuvendit për të votuar ndryshimet në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve u dogj. Seanca nisi me mazhorancën të pranishme në sallë, ndërkohë që nga opozita pati një qëndrim të ndryshëm sa i takon prezencës, por jo thelbit të përplasjes me shumicën.

Deputetët e LSI-së ndodheshin në sallë, ndërsa Lulzim Basha mblidhte grupin e vet parlamentar në selinë blu. Në seancë kërkesat e opozitës në vija të trasha i bëri publike Luan Rama.

“Nga sot, deri sa të zgjidhet problemi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të mos fillojë pushimet Kuvendi, derisa të bëhet funksionimi normal i sistemi të drejtësisë. Nuk mund të vazhdojmë si në një situatë normale, sepse nuk është problemi i regjistrimit të Magjistratëve, por funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, pa të cilën çdo Kuvend dhe qeveri duhet të reshtë së ekzistuari”, tha ai.

Deputeti i LSI-së tha se për një dialog të tillë ishte e gatshme për bashkëpunim edhe Partia Demokratike, nga selia e të cilës ishte Lulzim Basha ai që shtjelloi më në detaj kërkesat opozitare, të ndara në shtatë pika.

Kreu i PD, Lulzim Basha

Së pari, PD kërkon shfuqizimin e të gjithë ligjeve të reformës në drejtësi të miratuara në mënyrë të njëanëshme nga ana e mazhorancës.

Për opozitën, Prokuroria e Përgjithshme sot është e kapur dhe zgjedhja e 18 dhjetorit të vitit të kaluar e Arta Markut është e paligjshme. Ndaj, si pikë të dytë, Lulzim Basha kërkoi “zgjidhjen e situatës së paligjshmërisë në organin e Prokurorisë, duke i dhënë fund kapjes politike të prokurorit të përgjithshëm”.

Pika e tretë lidhet me procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të jashtëm për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Edhe këtu, për opozitën ka një situatë paligjshmërie, pasi në garë janë futur kandidatë që ishin përjashtuar më parë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Së katërti, kërkohet zgjidhja urgjente e ngërçit në Gjykatën Kushtetuese. “Sa kohë që vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese, vendi është në një situatë grushti shteti. Çfarë e pengon sot Edi Ramën që të miratojë një ligj, si ai për Teatrin Kombëtar?!”, tha Lulzim Basha.

Në pikën e pestë, Partia Demokratike kërkon ndërhyrje përmes mekanizmave ligjorë për të përshpejtuar procesin e vettingut, ngritjen sa më shpejt të KLGJ e KLP dhe nisjen e punës së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Byrosë së Hetimit dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Së gjashti, Basha renditi akuzën e opozitës se mazhoranca ka kapur procesin e vettingut. “Të ndërpritet mënjëherë ndërhyrja e mazhorancës në proces. Sot për të njëjtën shkelje dikush mbahet në detyrë, e dikush shkarkohet nga detyra”, tha ai.

Në fund, PD kërkon një komision koordinimi të balancuar dhe të paanshëm që të mbikëqyrë ngritjen e organeve të reja të drejtësisë, që Basha thotë se e përcakton edhe Kushtetuta.

Megjithëse parashtroi kërkesat, Lulzim Basha u shfaq skeptik, pasi thotë se mazhoranca nuk ka vullnet politik për të dialoguar për to. Para gazetarëve, ai interpretoi edhe ftesën e Gramoz Ruçit për dialog dhe ndau bindjen se këtyre shtatë pikave u qëndron edhe LSI.

“Është një skemë nga ato të vjetrat e sigurimit. Opozita ka një qëndrim unik për këtë çështje, sepse nuk mund të shërojmë një pacient pa krahë e këmbë duke i fashuar plagët. Ftesa për dialog është vetëm sa për të larë gojën”, u shpreh ai.

Ndërkombëtarët që kanë bërë thirrje për të votuar ndryshimet në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve i quan të “painformuar”.

“Janë të painformuar dhe kam pasur mundësi që t’i jap ca informacione ministrit gjerman Roth, por për fat të keq nuk ia dhashë këto informacione Komisionerit Johannes Hahn”, deklaroi kreu i PD.

Basha e cilëson Shkollën e Magjistraturës të kapur nga shumica dhe rendit disa arsye se përse opozita nuk mund të votojë ndryshimet që propozon mazhoranca.

“T’i japim votat Edi Ramës që të përzgjedhë pa transparencë se kush do të jenë gjyqtarë e prokurorë pas 3 vjetësh. Na kërkohet që kamikazët e Edi Ramës në Shkollën e Magjistraturës të emërojnë gjyqtarët dhe prokurorët. Nëse nuk do të kapë drejtësinë, çfarë kuptimi ka kapja e Shkollës së Magjistraturës? Më i paanshëm është sot Fondacioni "Qemal Stafa" se Shkolla e Magjistraturës. Pastaj, edhe po dhamë votat sot, ata të rinj gjyqtarë e prokurorë fillojnë të paktën pas 3 vitesh. Pra, po dhamë votën sot ne nuk e zgjidhim këtë problem që kemi sot”, deklaroi ai.

Edi Rama iu përgjigj shkurtimisht përmes rrjeteve sociale akuzave të opozitës, si të Lulzim Bashës, ashtu edhe të Gent Strazimirit, që tha se vettingu po funksionon me dy standarde.

https://twitter.com/ediramaal/status/1021378636249780224

"Vettingu po vepron në pavarësi të plotë e monitorim ndërkombëtar.Fletërrufetë kundër Vetingut janë dëshpërimi i atyre që e mbushën me llum Pallatin e Drejtësisë!Loja mbaroi.Gjykatat e sipërme do pastrohen deri në fund e do ringrihen për ta bërë më në fund drejtësinë Drejtësi", shkruan ai.

Përpara se Basha të dilte në konferencë për gazetarët ku parashtroi shtatë pikat e mësipërme dhe dha arsyet se përse opozita nuk do të votojë ndryshimet e kërkuara nga mazhoranca, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja foli para gazetarëve në oborrin e Kuvendit. Ai akuzoi opozitën se është penduar për votën pro reformës në drejtësi dhe në këndvështrimin e tij, sistemi nuk është në kolaps.

Deputeti i PS, Ulsi Manja

“Teoria e kolapsimit të Reformës në Drejtësi, nuk është teori juridike është teori e opozitës, e cila që ditën e parë pas votimit u bë pishman. Nga opozita na kanë dalë profetë juridikë që thonë se e kishin parashikuar si do të kolapsohej reforma në drejtësi. S’ka profetë e kryeprofetë që ua mbush mendjen shqiptarëve se reforma në drejtësi nuk është kryereforma”, thotë ai.

Manja foli me bindje se nëse opozita nuk voton ndryshimet, mazhoranca do të presë me qetësi ngritjen e institucioneve të reja, pra KLGj-së dhe KLP-së për të emëruar gjyqtarët dhe prokurorët e rinj.

“Nëse opozita nuk jep votën ne do të presim me qetësi ngritjen e organizmave të reja. Opozita të reflektojë, sepse konsensusi i korrikut 2016 do t'u duket dimër”, vijoi ai, duke theksuar se nuk po i bënte shantazh opozitës.

I vënë në dijeni nga gazetarët për këtë deklaratë të deputetit socialist, Lulzim Basha e komentoi shkurtimisht:

“Ulsiu është njeriu më i lumtur në këtë situatë. Ia doli që Artën ta bëjë prokurore, ndaj ka vetëm ngazëllim, sepse kush ka problem me prokurorinë, shkon tek Ulsiu. Ai tjetri ka çuar kunatin në Shkollën e Magjistraturës, këtë tjetrën e bëri prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të mbyllur dosjen e Geronit apo Agronit e të tjerëve. Këta nuk duan të kthehen tek konsensusi politik. Këta duan të ruajnë këtë status quo".

Punimet në seancën plenare të fundit për këtë sesion

Seanca rinisi jo vetëm pa PD, por edhe pa LSI-në në sallë dhe në fund Gramoz Ruçi njoftoi mbylljen e seancës dhe gjithë sesionit parlamentar. 

Pasi Ruçi mbylli seancën, para gazetarëve doli kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Në mungesë të konsensusit për 84 votat ripërsëriti bindjen e shprehur më herët nga Ulsi Manja se shumë shpejt do të ngrihen strukturat e parashikuara nga reforma për emërimet.

“Ne kërkuam dialog me opozitën, por ata zgjodhën bojkotin. Nuk më duket i drejtë bojkoti nga ana e opozitës, pasi ata që mbeten të dëmtuar janë studentët e ekselencës. Së shpejti Këshilli i Lartë Gjyqësor do të jetë funksional”, u shpreh Balla.

Nga LSI u shfaq para mediave Luan Rama. E quajti absurde dhe papërgjegjshmëri faktin që mazhoranca mbylli sesionin.

“Të shkosh me pushime kur sistemi i drejtësisë është në kolaps, që do të sjellë pasoja edhe më të rënda në vazhdim, edhe në cilësinë e drejtësisë?! Imagjinoni sikur të firmosej sot një marrëveshje deti, ashtu si në 2009 dhe të mos kishim Gjykatë Kushtetuese. Edhe ligji i teatrit i është lënë në dorë interpretimi nga juristë si puna e Ulsiut. Që mos të kuptojë që të mos ketë Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë, sistem drejtësie të kapur, terrorizuar dhe korruptuar, këtu bëhet fjalë për lajthitje politike, juridike dhe qytetare”, tha ai.

Kur nisi seanca e fundit e këtij sesioni ra në si fakti që PD e bojkotoi atë, ndërsa LSI ishte e pranishme në sallë. U interpretua sikur mes dy partive kryesore opozitare kishte një përçarje për këtë temë. Luan Rama e përjashtoi.

“Ne nuk ndajmë asgjë ndryshe, as me Lulzim Bashën dhe as me frontin opozitar kur është fjala për shtetin e së drejtës dhe ndarë përfundimisht kapjen politike të sistemit dhe për të mos lejuar që ky proces, si reforma në drejtësi të përdoret për të bërë seleksionim politik”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë