Nga Gazeta ‘Si’- Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka dërguar një kërkesë zyrtare kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Në dokumentin e firmosur nga 8 deputetë socialistë, theksohet se ngritja e këtij komisioni është e domosdoshme për të adresuar të gjitha problematikat e evidentuara gjatë proceseve zgjedhore, si dhe për të reflektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias pas zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Komisioni do të ketë për detyrë hartimin e ndryshimeve ligjore për reformën zgjedhore, trajtimin e financimit të partive politike, si dhe forcimin e transparencës në proceset zgjedhore.
Sipas kërkesës, puna e Komisionit do të zhvillohet në bashkëpunim me ekspertë të OSBE/ODIHR-it dhe të Këshillit të Europës, me një afat pune prej nëntë muajsh nga miratimi i tij.
Mazhoranca e cilëson këtë nismë si një nga prioritetet kryesore të saj, në funksion të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme dhe përmirësimit të standardeve demokratike në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




