Këshilli Politik do të mblidhet paraditen e së martës, ku Partia Socialiste ka premtuar se do t’i kthejë përgjigje Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj në lidhje me propozimin për hapjen e plotë të listave, me kusht që të mos ndryshojë as formula aktuale e koalicioneve dhe as formula e përllogaritjes së mandateve.
Mbledhja e Këshillit e propozuar nga socialisti Damian Gjiknuri u mirëprit nga Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.
Përgjigja e Gjiknurit në lidhje me koalicionet në fakt ka kleçka fjalësh; “nëse amendamentet kushtetuese që janë tanimë në procedurë parlamentare lejojnë, apo pengojnë hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë siç propozon opozita jashtëparlamentare. Gjithashtu, nëse amendamentet kushtetuese lejojnë apo pengojnë koalicionet”
“Duke qenë se tanimë mbetet për t’u përmbyllur edhe paketa e tretë që ka të bëjë me ligjin e ri zgjedhor i cili do të hyjë në fuqi pas dy proceseve të ardhshme zgjedhore e që sanksionon edhe depolitizimin e administratës zgjedhore sipas marrëveshjes së 5 Qershorit, propozoj:
Mbledhjen e grupit negociator të Këshillit Politik ditën e martë (28 Korrik), ora 11:00 në sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, me rend dite:
a) Prezantim nga ekspertët i produktit të deritanishëm për ligjin e ri zgjedhor që hyn në fuqi në 2023 dhe hapat që duhet të ndjekim për miratimin përfundimtar të tij.
b) Kthimi i përgjigjeve nga ekspertët për pyetjet e bëra në mbledhjet e kaluara nëse amendamentet kushtetuese që janë tanimë në procedurë parlamentare lejojnë apo pengojnë hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë siç propozon opozita jashtëparlamentare. Gjithashtu, nëse amendamentet kushtetuese lejojnë apo pengojnë koalicionet…”, thuhet në email-in e dërguar nga Damian Gjniknuri, përfaqësuesve të opozitës në Këshillin Politik.
Gjiknuri njofton gjithashtu se paketa e dytë e nismave ligjore të dala si produkt i tryezës së Këshillit Politik është depozituar në Kuvend me firmat e deputetëve të mazhorancës. Kjo do të thotë se Kuvendi fillon procedurat parlamentare për shqyrtimin e amendamenteve të dakordësuara në Këshillin Politik për: 1) Kodin e Procedurës Penale; 2) Kodin Penal; 3) Ligjin për Policinë e Shtetit; 4) Ligjin për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve; 5) Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; 6) Ligjin për Funksionimin e Prokurorisë dhe 7) Ligjin për Partitë Politike.
Përgjigjia e opozitës jashtëparlamentare nuk vonoi. Në të mirëpritet mbledhja e Këshillit, por akuzohet shumica se refuzon të shprehet për propozimin e saj.
Opozitës së Bashkuar thotë se hapja e listave duhet të trajtohet në kuadër të marrëveshjes së 14 janarit dhe 5 qershorit.
“Me gjithëpërfshirje dhe transparencë në Këshillin Politik, çka deri më sot nuk ka ndodhur, kjo sepse Partia Socialiste ka ecur me logjikën e “faktit të kryer” dhe me paraqitjen e njëanshme të ndryshimeve kushtetutese, të cilat bien ndesh me marrëveshjen e 14 Janarit, minojnë dakordësinë e 5 Qershorit, janë në kundërshtim me Rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias dhe zhbëjnë ligjin e miratuar më 23 korrik nga Kuvendi në përputhje me marrëveshjen e 5 Qershorit”, thuhet në letrën e firmosur nga Bylykbashi dhe Vasili.
Përfshirja e ndërkombëtarëve në këtë proces, PD dhe LSI thotë se buron nga marrëveshja e 14 janarit/
“Në këtë kuadër, Opozita e Bashkuar i qëndron kërkesës së parashtruar në mbledhjen e kaluar që në trajtimin e kësaj çështje të përfshihet ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR. Palët janë të detyruara të heqin dorë nga aktet e njëanshme për ndryshimin e Kushtetutës dhe të kërkojnë mendimin dhe asistencën nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët”, thotë opozita.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



