Politike

PS fut për votim komisionin për dezinformimin, mandati mund të zgjasë më tepër se një vit

Nga Gazeta Si - Mazhoranca pritet të hedhë në votim të enjten kërkesën për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në vend.

Edhe pse qëllimi në thelb i komisionit ka si objekt të nxitë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në vend përmes dezinformimit nëpërmjet medieve tradicionale dhe atyre sociale si dhe të kryejë një analizë të plotë të të gjithë faktorëve për të vlerësuar nëse janë respektuar detyrimet ligjore veçanërisht transparenca e financimeve në fushata zgjedhore, si dhe transparenca e financimit të të gjithë aktorëve dhe platformave që ofrojnë shërbime në sektorin e informimit publik apo veprimtari të tjera të ngjashme me to, opozita dyshon se ky komision mund të abuzoje madje t’i tejkalojë këto kompetenca.

Nga PD- e Rithemelimit është vene theksi se një komision i tillë mund të cënojë pavarësinë e medias, ndërsa nga PD-ja e Bashës e lidh këtë komision me zgjedhjet e ardhshme.

Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, nga të gjitha grupet parlamentare, dhe drejtohet nga PS-ja.

Anëtarët e Komisionit përcaktohen me vendim Kuvendi. Deri tani vetëm PS-ja ka depozituar emrat.

Komisioni e ushtron veprimtarinë për një afat 1-vjeçar nga data e miratimit të këtij vendimi. Por Kuvendi mund të vendosë të zgjatë afatin e ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm sipas përcaktimeve në Rregulloren e Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë