Projekt-rezoluta e socialistëve për të rrëzuar raportin e Dick Marty mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri u kthye në objekt debati nga deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj në komisionin e Jashtëm me argumentin ky i fundit ka depozituar një tjetër rezolutë për dënimin e genocidit serb në Kosovë, por që nuk është përfshire askund në axhendën parlamentare.
Për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë është paraqitur edhe një tjetër projekt-rezolutë nga Tritan Shehu, as ajo e përfshire në axhendën e Konferencës së Kryetarëve edhe pse të dy dokumentet kanë kohe që janë depozituar në Kuvend.
“Ka një afat limit. Afati limit është 30 ditë nga momenti i depozitimit. Do të thotë që për rezolutën e paraqitur prej meje afati do të duhet të ishte 27 qershori, për kolegun Shehu 30 qershori.
Për rezolutën duhet të ishte përcaktuara data dhe koha e debatit. Nuk ndodhi as njëra as tjetra. Kryetarja e Kuvendit asnjëherë nuk ka ushtruar detyrimin e saj dhe asnjë në Konferencën e Kryetarëve nuk ka pasur kurajon për të zbatuar rregulloren.
Për projektrezolutën e zotit Shehu brenda tre ditëve do të duhej të ishte thirrur për të bërë edhe ai prezantimin e rezolutës së vet…
Koha ka qenë e mjaftueshme, asgjë nuk ka ndodhur nga përfaqësuesit e maxhorancës. E di që këtu është Komisioni i Politikës së Jashtme dhe nuk mund të bëjë asgjë për neglizhencat e Kryetares së Kuvendit.
Ngela i befasuar nga fjala juaj në hapje që sot jemi mbledhur vetëm për një akt, qenka akti i depozituar nga 7 anëtarë të maxhorancës, dje. Mund t’ju sjellë në vëmendjen tuaj se do të duhet që kjo projekt rezolutë të ndjekë të gjitha procedurat hap pas hapi”, tha Alibeaj në mbledhjen e Komisionit.
“Unë kam ardhur për të prezantuar projekt-rezolutën e 27 majit, po bëhet shumë kohë që është depozituar, po bëhet kohë që bëhet sikur ajo nuk ekziston, pavarësisht se këmbanat e mia dhe të zotit Shehu janë ngritur në çdo seancë parlamentare”, shtoi Alibeaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




