Politike

PS e PD nisin misionin e (pa)mundur të reformës territoriale

Nga mbledhja e parë e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale u kuptua se misioni i këtij komisioni për të arritur në përfundim një produkt konsensual do të jetë i vështirë.

Palët ndanë këndvështrime të ndryshme sa i takon suksesit të reformës së ndërmarrë në 2014-n, kur u shkrinë rreth 370 bashki e komuna për të krijuar vetëm 61 bashki. Në atë reformë u prekën edhe harta administrative të rretheve, por për shkak të mungesës së konsensusit qarqet nuk ndryshuan.

Për socialistët, reforma ka qenë e suksesshme duke përmirësuar e afruar shërbimet për qytetarët. Në këtë prizëm, mazhoranca mendon se puna për reformën e re duhet të këtë në thelb ndarjen aktuale.

Por, nga Partia Demokratike nuk ndajnë të njëjtin qëndrim.

“Pse jemi pas një periudhë kaq të shkurtër kohore për të bërë reformën. Në 2014 kur u miratua nuk u mbajtën parasysh dy parakushte të rëndësishme për të qenë një reformë e suksesshme, nuk u pyetën qytetarët dhe pa vullnetin e tyre dhe pa konsensusin e opozitës. Kjo reformë ka dështuar dhe ne do t’i rikthehemi në themel sot kësaj reforme”, deklaroi bashkëkryetarja e komisionit të posaçëm, Dhurata Çupi.

Çupi tha se reforma e 2014-s, synoi decentralizimin, por e centralizoi më shumë pushtetin vendor, ka ndarje territoriale thelbësisht për qëllime elektorale, ku qarqe me të njëjtin numër popullsie janë ndarë me numra të ndryshëm bashkish. Gjithashtu, deputetja e PD tha se as qëllimi i shkurtimit të administratës nuk u arrit, pasi bashkitë sot kanë 39 mijë të punësuar, nga 19 mijë që ishin në vitin 2014.

Në mbledhjet e ardhshme të këtij komisioni do të mësohene dhe propozimet zyrtare të palëve për ndarjen e re. Por, në të shkuarën në PD kanë propozuar shtimin e numrit të bashkive nga 61 që është aktualisht në rreth 100 të tilla, ndërsa nga PS kanë propozuar reduktimin e mëtejshëm nga 61 në 36, ose 41 bashki.

Qarqet janë një tjetër pengesë. Duke qenë se sistemi zgjedhor është proprocional rajonal i ndarë në nivel qarku, për ndarjen e re palët do të fusin edhe kalkulimet elektorale. Nga PS kanë propozuar shkrirjen e qarqeve dhe ndarjen e vendit në 3, ose 6 rajone të mëdha. Nga PD ende nuk ka një propozim konkret për këtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë