Politike

PS dhe PD bien dakord, shtyhet ngritja e dy Komisioneve Parlamentare në Kuvend

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ranë dakord në Konferencën e Kryetarëve që të shtyjnë për javën e ardhshme diskutimin për ngritjen e dy Komisioneve të Posaçme.

Konferenca e Kryetarëve kishte në rend dite sot kërkesën e depozituar nga Partia Socialiste për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, për realizimin e Reformës Zgjedhore si dhe për Reformën Administrativo–Territoriale.

Në projektvendimin e depozituar në Kuvend për reformën zgjedhore, parashikohet ngritja e një komisioni të përbërë nga 17 anëtarë, 9 përfaqësues të Partisë Socialiste dhe 8 të partive të tjera opozitare.

Ky komision ngrihet për të trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHIR për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, për institucionet përgjegjëse për zgjedhjet, të partive parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse, si dhe hartimin për financimin e partive politike.

Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë të PS-së dhe PD-së, ndërsa paralel me to do të ngrihet grupi i ekspertëve teknikë.

Ndërkohë projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Administratio-Territoriale parashikon që komisioni të përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të grupit parlamentar të PS dhe 6 përfaqësues të grupit parlamentar të PD, 1 përfaqësues i grupit parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i grupit parlamentar i Partisë së Lirisë.

Emrat e anëtarëve të tij do të përcaktohen me vendim të Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë