Gazeta Si – Në tingujt e muzikës popullore dhe të valleve, Partia Socialiste ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit në sheshin ‘Skënderbej”.
Të gjitha drejtuesit e qarqeve bënë nga një prezantim të veçantë, ku përfaqësuesit e politikë parashikuan dhe numrin e mandateve për deputetë që do të merrnin.
Kreu i qeverisë Edi Rama, gjatë fjalimit të tij, tha se nga sot nis e përpjeta e fundit drejt Evropës dhe se tashmë zgjedhja është e qartë për të votuar PS drejt integrimit europian.
Rama nuk kurseu opozitën, të cilën e cilësoi si “kënetë”, ndërsa më tej iu përgjigj edhe Christopher Lacivitas, drejtuesit të fushatës së PD duke e emërtuar si “Latifi”.



Shqipëria 2030 në BE, sipas tij, do të bëhet realitet. Ndërsa për rivalët e tij politik, Rama u bëri thirrje qytetarëve që t’i braktisin.
“Sot është dita, ky është muaji i ndarë mes prillit e majit, kjo është dekada e ardhjes së fatit europian të Shqipërisë mu në dorën tonë, kur si asnjëherë më parë, qysh se dolëm nga ferri komunist, Bashkimi Europian na ka hapur portën e madhe dhe na ka dhënë një afat për të mbyllur marrëveshjen e pranimit tonë në shtëpinë e tij: 2027, – tha Rama. – E pra, në këtë vit të 2025-të, që përpos të tjerash është jubilar e i shenjtë përbotësisht, kur gjëmimet e kanosjet e luftës dhe rrëmuja e re gjeopolitike paralajmërojnë kohë me sfida të mëdha përpara, ne shqiptarët nuk mund ta humbasim kurrësesi takimin me historinë për mustaqet e Kujtim Gjuzit. Kjo është e vërteta, të takosh historinë apo të futesh në mustaqet e Kujtim Gjuzit?!”.
Ai shtoi gjithashtu se Shqipëria dikur ka qenë si Azia dhe nuk kishte asnjë lidhje me Europën, teksa foli edhe për Skënderbeun, të cilin e quajti profetin e dërguar nga Zoti për shqiptarët.



Këto zgjedhje, PS synon t’i fitojë me shumicë mandatesh. Gjatë komunikimeve me ndjekësit në rrjetet sociale, Rama e ka përsëritur vazhdimisht se është i bindur që do marrë një shumicë të fortë qeverisëse më 11 maj. Votën e qytetarëve, këtë herë e kërkon për të anëtarësuar Shqipërinë në BE, gjë që sipas tij, e realizon vetëm PS.
Mitingu i sotëm shpalosi dhe objektivin e socialistëve për këto zgjedhje të cilët kërkojnë që të sigurojnë 1 milionë vota.
Vazhdimisht Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që pavarësisht problemeve që ka vendi, të votojnë PS duke u premtuar se në vitin 2030 Shqipëria do jetë anëtarësuar në BE.


Dje, kreu i qeverisë zhvilloi një takim me gratë në Teatrin e Operas dhe Baletit ku nënvizoi rolin e tyre në këto zgjedhje duke u dhënë sërish pozicion kryesor sa i takon arritjes së një fitoreje të madhe. Madje ai u shpreh se 60% e mbështetësve të PS janë gra, në raport me 40% burra.
Për 140 vendet e Parlamentit të ardhshëm, këtë herë garimi do të jetë ndryshe nëpërmjet listave të mbyllura dhe atyre të hapura ku gara do të jetë edhe mes vetë kandidatëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.