Zëdhënësja e fushatës së Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi, në emër të Edi Ramës ka kërkuar që të numërohet çdo votë dhe asnjë votë të mos tjetërsohet.
Teksa e cilësoi fitoren e PS si një fitore historike, Muzhaqi tha se tashmë është koha për t’u angazhuar me të njëjtën përgjegjësi për numërimin e votave për kandidatët.
“Fitorja e PS është një fitore historike për familjen tonë politike, për të cilën jemi krenar të gjithë. Kjo fitore e qartë dhe e thellë duhet të shkëlqejë dhe me procesin e numërimit. Presim me padurim dhe rezultatin në Durrës dhe Tiranë dhe kemi mundësi dhe për 2 mandate të tjera. Përtej numërimit përfundimtar tani është koha është për t’u angazhuar me të njëjtën përgjegjësi për numërimin e votave për kandidatët. Vullneti i shqiptarëve që u shpreh përmes votës dhe angazhimit maksimal duhet respektuar deri në fund. Asnjë votë nuk mund dhe nuk duhet të tjetërsohet”, u shpreh Muzhaqi.
Më tej, Muzhaqi tha se kalimi i votave nga një kandidat tek tjetri është një krim zgjedhor dhe nuk do të tolerohet.
“Kalimi i votës nga një kandidat te tjetri është një krim zgjedhor, PS nuk do të tolerojë askënd nga numëruesit që do tentojnë ta bëjnë këtë gjë”, përfundoi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




