Futboll

Provë force për Tiranën në Durrës, Kukësi bën tifo për Teutën

Goleada e Partizanit ua lë vendin sot katër ndeshjeve të tjera të javës së 29-të të Superiores. Tirana dhe Kukësi duelojnë në distancë ende për titullin kampion, me bardheblutë që kërkojnë ta thellojnë diferencën e 9 pikëve për ta siguruar matematikisht trofeun. Por sot kanë një sfidë të vështirë, luajnë në fushën e Teutës, që kërkon një vend në Europë dhe ka nevojë për pikë.

Kukësi nuk është dorëzuar dhe këtë javë mund të përfitojë për t’iu afruar Tiranës. Skuadra e Orges Shehit pret Flamurtarin e rënë tashmë nga elita e futbollit shqiptar dhe fitorja në letër duket e lehtë, ndaj dhe sytë e veriorëve do të jenë te ndeshja e Durrësit. Në Korçë luhet ndeshja Skënderbeu-Laçi, me shumë rëndësi për zonën e Ligës së Europës, kurse në Shkodër, më shumë se një sfidë europiane, ajo mes Vllaznisë dhe Bylisit është një përballje për të shmangur ndeshjen shtesë për mbijetesë. Partizani, me fitoren e djeshme ndaj Luftëtarit, i është larguar vendit të tetë, duke ua lënë atë ta diskutojnë pikërisht shkodranëve dhe ballshiotëve.

Ndeshja me e rëndësishme e kësaj jave, Teuta-Tirana, do të luhet në orën 20:00, në stadiumin “Niko Dovana”. Vllaznia-Bylis dhe Kukësi-Flamurtari luhen në orën 17:00, kurse Skënderbeu-Laçi në orën 18:00. E veçanta është se këto ndeshje do të transmetohen në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Superiorja, java e 19-të
Sot, ora 17:00
Kukësi-Flamurtari
Vllaznia-Bylis
Ora 18:00
Skënderbeu-Laçi
Ora 20:00
Teuta-Tirana
Dje
Partizani-Luftëtari 8-1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë