Kombetarja

Provat para Çekisë, dy balotazhe dhe Ajeti favorit për vendin e Ismajlit në mbrojtje

Gazeta Si – Një ditë na ndan nga ndeshja me Çekinë, që për mënyrën si kanë rrjedhur ngjarjet, ka marrë vlerën e një finaleje të vërtetë për Shqipërinë. Trajneri Silvinjo ka edhe një seancë të fundit për të vendosur se cilët do jenë titullarët që do të hedhë në fushën e ‘Air Albanias’.

Braziliani ka humbur Ismajlin për dëmtim, Gjasula mbetet në pikëpyetje, Broja nuk është në 100% dhe Bare është stërvitur i diferencuar të martën. Pjesa më e madhe e formacionit është ajo që ka luajtur dhe ka fituar deri tani.

Ajeti gjate nje ndeshjeje me Kombetaren shqiptare. Gazeta Si, 11 tetor 2023

Nga provat e deritanishme, vendin e Ismajlit në qendër të mbrojtjes pritet ta marrë Arlind Ajeti, i cili do të jetë në krah të Gjimshitit. Ajeti, që aktualisht luan në Rumani, është i favorizuar ndaj Mihajt dhe Veselit, është i fortë fizikisht dhe ka eksperiencë të konsiderueshme. Në krahët e mbrojtjes do të jenë Hysaj e Mitaj.

Ka një balotazh sa i takon portës mes Berishës dhe Strakoshës, me një avantazh të lehtë të të parit. Trajneri Silvinjo do të vendosë në momentet e fundit. Balotazhi tjetër është për krahun e majtë të sulmit, mes Seferit dhe Uzunit. Edhe në këtë rast trajneri brazilian do të marrë një vendim në fund.

Cikalleshi është rikuperuar dhe do të jetë në majën e sulmit, si gjithmonë. Pas tij do të veprojë Nedim Bajrami dhe në të djathtë Jasir Asani. Ramadani dhe Asllani do të jenë dyshja e qendrës së mesfushës. Ky pritet të jetë formacioni i kuqezinjve për ndeshjen e nesërme, ku është shumë e rëndësishme që të mos humbasim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë