Analize

Provat e Tahirit, çfarë dimë deri më tani për radarët e ushtrisë

“Nuk keni parë gjë akoma”. Me këto fjalë, Saimir Tahiri ka reaguar shpesh brenda dhe jashtë sallës së gjyqit tek Krimet e Rënda. Këto fjalë nxitën hedhjen në treg të artikujve nëpër media, një pjesë e të cilave hamendësonin se Saimir Tahiri po kërcënonte ish-bashkëpunëtorë dhe ish-kolegë të tij në Qeveri, madje edhe vetë Kryeministrin Edi Rama, se nëse dënohej ai do të hapej “Kutia e Pandorës”.

Sot, gjyqi i Saimir Tahirit ka rikthyer edhe njëherë tjetër në qendër të vëmendjes çështjen e radarëve të ushtrisë në bregdetin shqiptar. Ish-ministri i Brendshëm ka përmendur një korrespondencë me ish-ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ku sipas tij, thotë se ka ngritur shqetësimin për mosfunksionimin e tyre. Këtë korrespondencë, Tahiri e ka përdorur për të rrëzuar akuzën e prokurorisë për favorizim të trafikut të hashashit nga grupi i Habilajve. Por, a është Mimi Kodheli “viktima” e parë e kërcënimit të Tahirit?

Çështja e funksionimit të radarëve të ushtrisë merr udhë para 2013, kur erdhën në pushtet socialistët. Sipas dokumentacioneve të Ministrisë së Mbrojtjes, në gusht të 2011, kompania amerikane “Lockheed Martin”, që mirëmbante radarët shqiptarë deri në atë periudhë largohet. Këtu del për herë të parë në publik emri i kompanisë “Idea-Tel”, me pronar 100 për qind të aksioneve Idlir Karkinin.

Idlir Karkini, pronar i kompanis “Idea-Tel”. Gazeta Si, 19 shtator 2019

“Idea-Tel” ka fituar të drejtën e mirëmbajtjes së sistemit të radarëve për pjesën e mbetur të 2011-ës, kur ministër ishte Arben Imami. Pra, bëhej fjalë për katër muajt shtator, tetor, nëntor dhe dhjetor. Për këtë, një audit i brendshëm i Ministrisë së Mbrojtjes dhe më vonë një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit do të gjenin se kompania “Idea-Tel” kishte përfituar për rreth 490 mijë dollarë nga kontrata për katër muaj, ndërkohë që për një vit, “Lockheed Martin” kishte kryer të njëjtin shërbim për 160 mijë dollarë më pak.

Në gusht të 2013, kur PD po përgatitej për të dorëzuar pushtetin tek Partia Socialiste dhe LSI, Ministria e Mbrojtjes organizon një tjetër tender me objekt mirëmbajtjen e sistemit të radarëve detarë. Në tenderin e kategorizuar sekret për shkak se në mes ishte siguria kombëtare, fondi limit ishte 560 mijë dollarë, fituese u shpall kompania “R&T Sh.p.k”. Por, me ardhjen në pushtet të socialistëve, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli e anuloi tenderin në fjalë, duke thirrur një tender tjetër me të njëjtin objekt, por me fond limit të rritur në 850 mijë dollarë.

Procedura e përzgjedhur nga Ministria e Mbrojtjes ishte ajo me “ftesë” drejtuar kompanive për pjesëmarrje në tender. Çuditërisht, kompania që fitoi ishte “Idea-Tel” në bashkëpunim me kompaninë italiane “Gem Electronica”. Oferta e këtij bashkëpunimi ishte sa i gjithë fondi limit i vendosur nga Ministria e Mbrojtjes.

Dy vite më vonë, ajo që kishte ndodhur nën maskën e “sekretit kombëtar” shpërtheu publikisht. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti parregullësi të mëdha në tenderin në fjalë. KLSH tha se Ministria e Mbrojtjes duhej të thërriste një tender të hapur, ndërkohë që qortohej edhe mungesa e ftesës për gjigantin amerikan, “Lockheed Martin”. Kjo kompani është ndër kontraktoret më të mëdha të Uashingtonit në fushën e sigurisë ushtarake dhe ndërtuesja e sistemit të radarëve në Shqipëri, por që çuditërisht ishte përjashtuar nga gara për tenderin e mirëmbajtjes së një sistemi që e kishte ngritur vetë, e për më tepër me një kosto shumë herë më të ulët nga sa iu dha “Idea-Tel”.

Skandali mori të tjera përmasa, kur shkeljet e KLSH-së u përforcuan nga gjetjet e Autoritetit Komunikimeve Elektronike dhe Postare. AKEP përshkroi me fjalë teknike problematikën e mosfunksionimit të radarëve, problematikë që u pranua edhe nga vetë kontrollet e Ministrisë së Mbrojtjes.

Nga ekstrakti historik i Qendrës Kombëtare të Biznesit, “Idea-Tel” rezulton si kompani e themeluar që në vitin 1997, ndërsa veç tenderave të fituar nga Ministria e Mbrojtjes për rrjetin e komunikimit dhe atë për mirëmbajtjen e radarëve, ka fituar së fundmi edhe tenderin për digjitalizimin e paketës së Radio-Televizionit Shqiptar.

Kompania e përshkruan veten si lider në këtë sektor dhe në një intervistë dhënë për Ora Neës në 2015, administratori i saj, Genci Mesi thotë është e vetmja në vendin tonë që administron këtë sektor.

“Kompania “Idea-Tel” ëshrë nëj kompani me një eksperiencë mbi 15-vjeçare në fushën e ofrimit e shërbimit të komunikimeve elektronike dhe me një partneritet shumëvjeçar me kompaninë italiane “Gem Elettronica”, e cila është një kompani lider në prodhimin dhe menaxhimin e sistemeve të vëzhgimit të hapësirave detare në mbarë botën”, thotë ai.

Me emrin e italianëve të “Gem Elettronica” u mbroj edhe pasaardhësja e Mimi Kodhelit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Olta Xhaçka deklaroi për Top Channel në 2018 se Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar kontratë me këtë kompani për mirëmbajtjen e radarëve, pohim që bie ndesh me dokumentacionet dhe raportin e KLSH-së, ku “Idea-Tel” figuron si kompania që ka marrë tenderin dhe italianët e “Gem Elettronica” si bashkëpunëtorë.

Se kush qëndronte pas kompanisë “Idea-Tel” do të mësohej publikish në 2018, kur emri i biznesmenit Idlir Karkini del në listën e personave të akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe privatizim të paligjshëm të pronave shtetërore në bregdetin e Spillesë. Mes pronave që Karkini kishte përfituar sipas kësaj skeme, ishte edhe vetë Poligoni i Forcave Ajrore në këtë zonë.

Karkini u zhduk në shkurt të 2018 nga banesa e tij vetëm pak ditë para se policia t’i trokiste për ta arrestuar për akuzën e falsifikimit, mashtrimit dhe përvetësimit të pronës shtetërore. Dyshimet e para thanë se ai ishte njoftuar gjatë kohës që prokuroria po përgatiste dosjen në ngarkim të tij dhe personave të tjerë dhe periudhën nga përgatitja e dosjes deri në nxjerrjen e urdhër-arrestit e ka shfrytëzuar për t’u larguar nga Shqipëria.

Që prej asaj kohe ai është ende në kërkim, ndërkohë që biznesmenë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të pushteti qendror dhe vendor të përfshirë në skemën e përvetësimit të pronës shtetërore në Spille morën dënimet përkatëse për akuzat e ngritura kundër tyre.

Radarët dhe politika

Gjetjet e KLSH dhe AKEP u shfrytëzuan nga Partia Demokratike që të sulmonte ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Flamur Noka deklaronte nga një mbledhje e Komisionit të Sigurisë në nëntor të 2015 se siguria kombëtare ishte lënë në dorë të një “dyqani që riparonte celularë”, duke iu referuar këtu kompanisë “Idea-Tel”.

Përballë akuzave të opozitës, kompania vetë reagoi përmes një deklarate të shkurtër për mediat. Deklarata nxorri në pah një marrëdhënie tejet komplekse të kësaj kompanie me Ministrinë e Mbrojtjes, që nuk kufizohej vetëm tek mirëmbajtja e radarëve.

“Që nga viti 2004 “Idea Tel” është kompania e vetme që ka kryer në mënyrë të pandërprerë prej 12 vitesh të gjithë komunikimet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe që vazhdon e sot. Ministrat nga Majko, Mediu, Oketa, Imami s’kanë pasur asgjë për të thënë. Në vitin 2011 kompania ka fituar kontratën e riparimit të Radarëve për monitorimin e hapësirës detare pranë Ministrisë së Mbrojtjes me Imamin. Kjo kompani fitoi në tender të hapur bashkë me GEM në kohën e ish-ministrit Imami”, thuhej në deklaratë.

Më vonë, kompania “Idea-Tel” nuk u rikthye më në qendër të akuzave të opozitës. Por, Partia Demokratike shënjestronte ministren Mimi Kodheli dhe ministrin Saimir Tahiri jo për mosfunksionimin e radarëve, por për fikjen e tyre në mënyrë që të trafikohej hashashi në drejtim të Italisë pa asnjë pengesë.

Ministrja Kodheli u mbrojt duke deklaruar se sistemi i radarëve është tërësisht në funksion. Ajo këmbëngulte se radarët i gjeti jashtë funksionit në 2013, lëvroi një fond urgjence prej 83 milionë lekësh për riparimin e tyre dhe që prej fundit të atij viti sistemi ka qenë plotësisht funksional.

Në këtë periudhë, Prokuroria thotë se është përfshirja e parë e Saimir Tahirit me grupin e Habilajve. Organi i akuzës i referohet një përgjimi të autoriteteve italiane, ku pjesëtarë të këtij grupi i referohen me “shefi i madh” një personi që sipas tyre harxhon 20 mln euro në fushatë.

Pra, nëse radarët kanë qenë funksionalë prej fundit të 2013-ës, atëherë sipas akuzave të prokurorisë, ata janë fikur qëllimisht në periudhën e mëvonshme për të favorizuar trafikun e drogës nga grupi i Habilajve.

Në 2017, kur Saimir Tahiri ishte larguar nga detyra e ministrit të Brendshëm dhe akuzat ndaj tij ishin zyrtarizuar nga Prokuroria shqiptare, Sali Berisha i rikthehet temës së radarëve gjatë një fjalimi në një seancë parlamentare.

“Qeveria e Noriegës bllokoi radarët. Nga shtatë radarë vetëm tre janë në funksion dhe nga e gjithë ajo që kemi denoncuar, ditën që narkoministri fliste këtu, trageti nga Durrës nisej i shoqëruar para dhe mbrapa nga dy skafe, të cilat kapeshin për bukuri në radarë, por nuk shiheshin nga sytë e mendjes të atyre që ishin përpara, sepse urdhri ishte “t’i lëmë të kalojnë”. Njëri u kap në brigjet italiane, ai që kishte tre ton nuk dihet se ç’u bë”, deklaronte ai.

Tani, radarët nuk po përdoren nga Partia Demokratike për të goditur shumicën socialiste, por nga Saimir Tahiri për t’u mbrojtur përballë akuzave të ngritura kundër tij. Ai thotë se ka një korrespondencë me Mimi Kodhelin për këtë temë, ndërsa vetë ish-ministrja thotë se korrespondenca është bërë në vitin 2013, pra jo në vitet 2015 e 2016, kur prokuroria akuzon Saimir Tahirin për përfshirje në trafikun e drogës me grupin e Habilajve.

Një pretendim i Saimir Tahirit në mbrojtjen që bën para Gjykatës së Krimeve të Rënda, është se për radarët ka një korrespondencë zyrtare me ish-ministren Mimi Kodheli në të paktën shtatë raste. Ish-ministrja nuk e mohoi një pretendim të tillë dhe as saktësoi nëse i ka kthyer përgjigje shqetësimit të Tahirit apo jo, por thotë se ka zbatuar vetëm Kushtetutën.

“Ju flisni me ish Ministren e Mbrojtjes, nuk flisni me shefen e arkivave. Nuk jam këtu nëse i kam kthyer përgjigje, jam këtu për të thënë që detyrat kushtetuese i kam kryer mirë, madje shumë mirë”, deklaroi ajo në një intervistë të fundit dhënë për Top Channel.

Askush nuk mund të dijë të vëretën në këtë mes, por përplasja mes dy ish-ministrave të kabinetit të parë “Rama” sugjeron se nuk do të jetë e fundit e këtij lloji. Ndaj pyetja është; kush e ka radhën?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë