Drejtësia

Prova të reja sekrete për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj

Gazeta Si – Prokuroria e posaçme ka paraqitur prova të reja shkresore për Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçajn, dy të pandehurit si porositës të atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj në nëntor 2019.

Në seancën e mbajtur këtë të premte, prokurori Adnan Xholi paraqiti në sallë 67 dosje përpara gjykatës, duke kërkuar që të mbyllen dyert për mediat në mënyrë që të bëhej dhe prezantimi konkret i provave.

“Procesverbalet kanë të bëjnë me zbardhjen e komunikimeve në aplikacionin Sky Ecc etj. Kërkoj të jetë një seancë me dyer të mbyllura për ruajtjen e sekretit hetimor, duke qenë se ka të dhëna që deri më tani nuk janë ekspozuar”, – argumentoi Xholi.

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e organit të akuzës që për këtë fazë të leximit të fashikullit përmban të dhëna sekrete, por pa pasur të pranishëm përfaqësues të mediave.

Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj u ekstraduan nga Dubai në gusht të vitit 2024. Dervishaj akuzohet si organizatori i atentatit ndaj ish-prokurorit në nëntor 2019 ndërsa Meçaj si një nga autorët që qëlloi në drejtim të tij. SPAK e zbardhi atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në “SkyECC”.

Për ngjarjen e ndodhur në 1 nëntor 2019 te mbikalimi i Shkozetit, Redjan Rraja u dënua në prill 2024 me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit me burgim të përjetshëm si një nga atentatorët.

Fajtor u shpall edhe bashkëpunëtori i tij, Aril Halilaj, i dënuar me 35 vjet burg.

Në atë ngjarje u plagos ish-prokurori Arjan Ndoj dhe Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi i njohur si “Rrumi i Sukthit”. Nga të shtënat me armë zjarri fatkeqësisht humbi jetën një javë më vonë në spital shoferi Andi Maloku.

Ndërsa porositësit dhe financuesit e kësaj ngjarje janë në proces gjykimi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për shkak se kanë qenë në kërkim dhe janë zbuluar nga komunikimet në Sky Ecc.

Të pandehurit janë Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani dhe akuzohen për disa vepra penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë