Futboll

Prova arratisjeje për Interin, Asllani feston në shtëpinë e Gjimshitit

Gazeta Si – Me një penallti të Çalhanoglu dhe një gol të bukur të kapitenit Lautaro Martinez, Interi tenton të shkëputet në krye të klasifikimit. Atalantës nuk i mjafton goli i Skamakës.

Për javën e 11-të të Serisë A, Interi ka mundur 1-2 Atalantën në transfertë, duke provuar të arratiset në renditje. Në ‘Gewiss Stadium’, Çalhanoglu zhbllokoi ndeshjen me një penallti 5 minuta para fundit të pjesës së parë.

Në të dytën Lautaro Martinez dyfishoi me një gjuajtje të bukur në pozicion diagonal. Katër minuta më pas Skamaka shënoi nga afër portës, pas një asisti të Lokman, që i vodhi topin Dimarkos. Por kjo nuk mjaftoi për të ndalur Interin.

Skuadra e Inzagit ngjitet në kuotën e 28 pikëve dhe momentalisht shkëputet +5 nga Juventusi. Atalanta e Gasperinit mbetet në kuotën e 19 pikëve.

Ishte kjo ndeshje edhe një përballje mes dy lojtarëve të Kombëtares, Berat Gjimshitit dhe Kristjan Asllanit. I pari ishte titullar në këtë sfidë, kurse Asllani u fut në fushë 4 minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Festa në fund i ka takuar mesfushorit kuqezi të Interit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë