Biznes

Protokolli anti Covid-19 për baret dhe restorantet, hapen në 18 maj

Qeveria ka deklaruar se nëse statistikat e infetimeve dhe  të shërimeve do të jenë në përmirësim të qendrueshme, më datën 18 do të nisë aktiviteti i bareve dhe restoranteve me orar të reduktuar sipas fashës orare të lëvizjes së njerëzve deri në orën 17:30.

Në e-albania është publikuar protokolli i sigurisë për këto aktivitete, ku theksohet se “Ky është një udhëzues i përkohëshëm gjatë kësaj faze dinamike të pandemisë COVID-19 dhe për këtë arsye do të rifreskohet sërish sipas nivelit të riskut.”

Referuar protokollit, çdo subjekt duhet të ketë një person përgjegjës të autorizuar, i cili do të kryejë çdo ditë vetëvlerësimin personal dhe vlerësimin për prezencën e simptomave të COVID-19 në personat e punësuar. Në rast të simptomave nuk duhet lejuar në asnjë rast vijimi i aktivitetit nga personi përkatës dhe duhet të raportohet menjëherë si rast në numrin 127. Nëse personi shfaq simptoma ndërkohë që është duke punuar apo pas punës, ai duhet të njoftojë menjëherë mjekun e familjes. Asnjë person me temperaturë 37.5 nuk duhet të lejohet të hyjë në subjekt. Për çdo rast personi përgjegjës lajmëron menjëherë strukturat përkatëse, veçanërisht Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Institutin e Shëndetit Publik.

Është e detyrueshme që personat e punësuar të kryejnë çdo ditë vetëvlerësimin personal nëse kanë simptoma të COVID-19 sipas checklistës së miratuar. Në rast të simptomave personi duhet të njoftojë menjëherë 127-n dhe personin përgjegjës.

Protokolli detyron  që çdo punonjës i bar - kafesë ose restorantit të deklarojë ndaj personit përgjegjës nëse ka patur kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Subjekti i bar - kafesë ose restorantit lejohet të veprojë vetëm në orarin e caktuar nga dispozitat ligjore.

Rekomandohet sa më shumë shërbim taksi (delivery) në adresë dhe mundësia e blerjes online/telefon.

Vajtja dhe ardhja në punë më këmbë kryhet duke ruajtur distancën 2 metra  dhe jo duke krijuar grupime. Për lëvizjen me automjet protokolli detyron zbatimin e masave të publikuara nga Policia e Shtetit.

Subjekti bar - kafe ose restorant, duhet të sigurojë vazhdimisht dhe me mjetet e tij në çdo moment, sapun, letër për pastrimin e duarve, maskat, dorezat dhe dezinfektantë për pastrimin e sipërfaqeve si dhe kosha plehrash të mbyllur të cilët duhen pastruar çdo ditë.

Po ashtu me hapjen e këtyre subjekteve, në hyrje çdo bar-restorant, duhet të ofrojë produktin higjenizues të duarve për klientët dhe të kujdeset për rimbushjen e tyre. Përqindja e substancës aktive duhet të jetë minimalisht 60% alkool.

Për personelin, çdo punonjës, duhet të përdorë në çdo moment dorezat mbrojtëse dhe maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën.

Protokolli detyron që këto biznese duhet të sigurojnë higjienë korrekte të larjes së duarve. Punonjësit, thotë Protokolli, duhet të kryejnë higjienën e duarve rregullisht me ujë dhe sapun për të paktën 20 sekonda. Mund të përdoret një higjenizues për duart me bazë alkooli që përmban të paktën 60% alkool, por ky proçes nuk është zëvendësues për pastrimin e duarve me ujë dhe sapun.

Sipas Protokollit duhet vepruar në këtë mënyrë:

•Higjiena e duarve duhet të përfshijë këto momente të rëndësishme:

Para, gjatë dhe pas përgatitjes së ushqimit;

Pas përdorimit të tualetit;

Pasi të keni kryer pastrimin e hundëve, pas kollitjes ose tështitjes;

Pasi të keni veshur, prekur ose hequr maskën apo mbrojtësen e fytyrës;

Para dhe pas ndërrimit të punës dhe në mënyrë periodike përgjatë punës;

Para dhe pas ndërprerjes së punës;

Pas prekjes së parave ose sendeve që janë trajtuar nga klientët, siç janë qeset ushqimore me një përdorim;

Para se të vishni dhe hiqni dorezat me një përdorim;

Të mos prekni sytë, hundën ose gojën;

Kollitja dhe tështitja duhet të bëhen duke përdorur bryllin apo letër hundësh. Letra hidhet menjëherë në kosh.

Po ashtu, klienti dezinfekton duart në hyrje dhe dalje nga bari ose restoranti me higjenizues me nivel përmbajtje alkooli 60% të vënë në dispozicion nga subjekti.

Bizneset duhet të garantojnë dhe respektojnë në çdo moment distancën prej 1.5 metra midis personelit të punësuar dhe këtyre të fundit e klientëve. Rekomandohet shmangia e parasë “cash” dhe ofrimi i shërbimeve me kartë krediti. Punonjësit e arkës dezinfektojnë duart pas çdo veprimi me “cash”.

Nëse pagesa bëhet në arkë, citohet në Protokoll,  subjekti i bar - kafesë ose restorantit duhet të vendosë xham mbrojtës (plexiglass) midis punonjësit dhe klientit.

Punonjësit e shërbimit bar kafe ose restorant nuk duhet të prekin fytyrën, sytë apo maskën pasi të shkëmbejnë para në formatin letër apo monedhë.

Në asnjë rast nuk lejohet kontakti fizik mes punonjësve apo mes palëve të treta përfshirë përshëndetjet.

Bizneset gjithashtu duhet të vendosin në sipërfaqen e ambjentit të hapur tavolinat, në atë mënyrë, që distanca nga pjesa e pasme e një karrige në pjesën e pasme të një karrige tjetër të jetë të paktën 1m larg, e për rrjedhojë, klientët ta shohin përballë njëri - tjetrin nga një distancë prej të paktën 2m.

Subjekti bar - kafe ose restorant për të ruajtur distancimin fizik me klientët duhet të sigurojë një korridor të dedikuar për klientët deri në nivelin e arkës dhe një korridor për daljen nga ambjenti. (në varësi të sipërfaqes në dispozicion)

Ata duhet të vendosin shenjat vizuale në dysheme, shirita me ngjyra, ose shenja për t’u treguar klientëve respektimin e distancës fizike .

Po ashtu duhet të vlerësojnë reduktimin e orarit të punës për të kryer pastrimin dhe dezinfektimin mjedisor në mënyrë sistematike.

Për personat e tretë si furnizuesit dhe shpërndarësit, ata duhet të lejohen vetëm të pajisur me maska dhe doreza mbrojtëse dhe më pas te kryhet dezinfektimi i duarve.

Protokolli detyron pastrimin dhe dezinfektimin e sipërfaqeve me nivel të lartë prekje të shpeshta, si: dorezat e dyerve, tavolinat, tabaka shërbimi dhe banakët e lokaleve.

Gjithashtu të kryejë dezinfektim të ambjentit dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes të paktën 2 herë në ditë. Sipërfaqet e papastra lahen fillimisht me ujë dhe sapun e më pas dezinfektohen me produktet e tjera. Produktet përdoren nga prodhuesi/shitësi në përputhje me udhëzimet përkatëse të Minsitrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Punonjësit gjatë punës apo ndërimit të turneve nuk duhet të përdorin mjetet apo vendin e punës së kolegëve pa kryer dezinfektimin.

Bizneset janë të detyruara të afishojnë posterin informues mbi uljen e riskut të COVID-19 sipas formatit të miratuar dhe deklaratën për zbatimin e protokollit për subjektet, sipas formatit të miratuar ku përfshihet detyrimi për vetëvlerësim të simptomave nga personeli i punësuar/adminstratori/ çdo person tjetër palë e tretë, që hyn e del në ambientet e brendshme sipas formatit të miratuar ku përmendet përgjegjësia administrative apo penale për personin që nuk merr masat sipas detyrimeve ligjore dhe numri jeshil për denoncim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë