Kosova

Protestuesit në Leposaviç tentojnë të hyjnë me dhunë në komunë. Petkoviç: U provokuan

Protestuesit në Leposaviç kanë tentuar të hyjnë me dhunë në ndërtesën e komunës, por nuk janë lejuar nga ushtarët e KFOR-it.

Ata besuan se aty është duke u mbajtur një takim mes ministrit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, dhe kryetarit të komunës, Lulzim Hetemi.

Ata janë organizuar dhe kanë kaluar kordonin e ushtarëve hungarezë, mirëpo, janë ndaluar nga ushtarët tjerë të cilët ndodhen në hyrje të ndërtesës.

Pas një bisede të shkurtër me pjesëtarët e misionit të NATO-s, KFOR, të cilët ruajnë ndërtesën e komunës, zyrtari i Listës Serbe, Zoran Todiç, i ftoi të tubuarit t’i afrohen ndërtesës së komunës dhe, siç u shpreh, të hyjnë në vendet e tyre të punës.

Todiç është ish-kryetar i Komunës së Leposaviçit sipas sistemit të Kosovës, por, në të njëjtën kohë, mban edhe pozitën e kryetarit të Autoritetit të Përkohshëm Komunal, që funksionon sipas sistemit serb.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, shkroi në llogarinë e tij në Twitter se ky është një “provokim i ri”.

“Për këto lëvizje të dhunshme [të kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti e kam informuar menjëherë [të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak”, tha Petkoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë