Kosova

Protestuesit i përgjigjen Kurtit: Ose ne, ose Kompaninë e Energjisë

Gazeta Si-Një grup qytetarësh në Kosovë janë ngritur në protestë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Protestuesit kundër shtrenjtimit të energjisë, në protestën para objektit të Qeverisë, i janë përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që arsyetoi propozimin për ngritjen e çmimit të energjisë duke thënë se për shkak të krizës s’ka rrugëdalje tjetër, ose shtrenjtim, ose reduktime.

“Ose neve, ose KEDS-in (Kompania për Energjinë e Kosovës”, është përgjigja që qytetarët ia kanë dhënë atij të mërkurën.

“Me ose, ‘osat’ e kryeministrit ne duhet t’i themi ose neve ose KEDS-it dhe ia bëjmë me dije edhe atij dhe të gjithë atyre që sot kanë guxim ta fyejnë çdo person në Kosovë që rryma asnjëherë s’ka qenë e lirë”, kanë thënë organizatorët.

Protestuesit kanë kërkuar që Qeveria të refuzojë propozimin e ZRRE-së për ngritje të çmimit e të shtetëzojë KEDS-in.

Në këtë protestë do të kërkohet të mos aprovohet blloktarifa e propozuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe që të nacionalizohet KEDS-i.

Me 28 janar, pritet të miratohet propozimi i ZRRE-së për shtrenjtim të çmimit të energjisë.

Të martën(25 janar), kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) Ymer Fejzullahu për katër orë ka raportuar në Komisionin për Ekonomi ku ka arsyetuar propozimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike nga 1 shkurti 2022 deri më 1 mars 2023.

Lidhur me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike ka thënë se në katër komunat veriore me shumicë serbe nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike.

Në anën tjetër, deputetët e opozitës kanë thënë se raporti i ZRRE-së është shkruar nga Qeveria dhe sipas tyre ky institucion i pavarur është e ndikuar nga partia në pushtet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë