Nga Gazeta ‘Si’– Me tensione po zhvillohet protesta e radhës e Partisë Demokratike.
Sali Berisha, i shoqëruar nga militantët, marshoi nga selia blu drejt Kryeministrisë.
Vetëm pak minuta pas mbërritjes në shesh, breshëri flakadanësh dhe fishekzjarresh u hodhën drejt Kryeministrisë. Ndërkohë policia u kundërpërgjigj me ujë dhe me gaz lotsjellës nga tarraca e kryeministrisë.
Pas gazit lotsjellës, protestuesit u larguan nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe marshuan drejt Sheshit “Skënderbej”, disa u futën drejt Piramidës, dhe disa nga Ministria e Punëve të Brendshme për t’u larguar nga efektet e gazit lotsjellës.

Protestuesit u afruan pranë Bankës së Shqipërisë dhe selisë së Partisë Socialiste. Forcat e sigurisë kishin marrë masa për të ndaluar hyrjen e tyre pranë selisë së PS-së, por kryedemokrati Sali Berisha devijoi marshimin, duke shmangur përplasjen dhe nuk e drejtuan turmën drejt selisë rivale.

Disa nga protestuesit janë afruar pranë godinës së AKSHI-t, por janë penguar nga policia që ka bllokuar rrugën. Në vendngjarje ka makina ujëhedhëse, ndërsa dy rrugë janë të bllokuara, duke lejuar qarkullimin vetëm përmes rrugës “Ismail Qemali” drejt rrugës së Elbasanit.
Qytetarët u konfrontuan me punonjësit e Policisë, duke kërkuar hapjen e rrugës, ndërsa në zonë ka pasur disa shpërthime me molotov dhe si pasojë është ndezur sirena e sigurisë e një biznesi përreth.
Por mesa duket as shpërthimet me molotov nuk kanë mundur dot ta çajnë kordonin e Policisë.
Në një moment tensioni mes turmës së protestuesve dhe policisë afër AKSHI-t, raportohet se Berisha ka pësuar lëndime në sy, për shkak të hedhjes së spraiut.
Po ashtu mësohet se ai është lagur nga hedhja e ujit nga autobotët e policisë. Për disa momente Berisha nuk është ndjerë mirë pastaj ka rinisur marshimin.
Në protestën e Partisë Demokratike u vu re se flamujt e SHBA-së janë zëvendësuar me ato të BE-së dhe Gjermanisë.




Një simbolikë kjo që po përdoret nga demokratët pas akuzave ndaj PS-së se ka bllokuar integrimin me vendimin për të mos ia dorëzuar Belinda Ballukun, SPAK-ut.
Ndërkohë, ende nuk ka një afat se kur 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian do të shprehen për Raportin e Komisionit Europium mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e bisedimeve për anëtarësim. Simbolika e flamurit gjerman në protestë lidhet edhe me lajmet që kanë qarkulluar se Gjermania është në krye të vendeve që ka ngritur pikëpyetje për miratimin e raportit.
Për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë protestës, Policia ka angazhuar 1500 efektivë policie. Protesta zhvillohet në një ditë feste për komunitetin bektashi, atë të Sulltan Norvuzit. Megjithatë, simbolika e zgjedhur nga demokratët, është ajo e 22 marsit të vitit 1992 që shënon fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e para pluraliste pas rënies së komunizmit në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje