Kosova

Mijëra shqiptarë protestojnë në Hagë për heronjtë e UÇK dhe kundër Gjykatës Speciale

Gazeta Si – Një protestë masive në mbështetje të UÇK-së dhe kundër Gjykatës Speciale po mbahet në Hagë.

Me flamuj, uniforma dhe këngë patriotike, qytetarë të shumtë në numër kanë udhëtuar drejt qytetit të Holandës për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

Ata e konsiderojnë procesin kundër ish komandantëve të UÇK-së të padrejtë dhe të bazuar në shpifje të Serbisë.

“Nderim për ata që luftuan për të ardhmen tonë”, “Drejtësi për heronjtë e popullit tim” dhe “Pesë vjet në gjykim, liria nuk duhet askund, padrejtësia nuk mund të zgjasë përgjithmonë, liri tani”, janë disa nga mesazhet në pankarta.

Nga fotot e videot të cilat po qarkullojnë në media socoale, shihen një numër i madh i protestuesve, të cilët janë mbledhur për më shumë se dy orë para nisjes së protestës.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka shprehur përkrahjen e tij për këtë manifestim, duke nënvizuar keqardhjen që nuk mundi të udhëtojë për në Hage për shkak të angazhimeve të tjera.

Protesta nisi në orën 14:00 dhe nuk do të mbahet para ndërtesës së Gjykatës Speciale, sepse kjo nuk është lejuar për shkaqe të sigurisë, por vetëm në afërsi të saj. Protesta ishte paralajmëruar që do të ishte masive për shkak të interesimit të madh të shqiptarëve nga vende të ndryshme të botës.

Kjo protestë po zhvillohet një ditë para se të nisë paraqitja e provave nga mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë që nga fillimi i nëntorit të 2020-ës. Ata po ballafaqohen me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Organizatore e protestës është diaspora, e mbështetur nga organizata të dala nga lufta. Ata thonë se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe të tjerët, po mbahen padrejtësisht në Hagë për 5 vite me radhë dhe se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare.

Kjo protestë është mbështetur edhe nga shumë parti politike dhe individë me influencë, si në Kosovë, Shqipëri, ashtu edhe në diasporë.

Të hënën, më 15 shtator, fillon procesi i nxjerrjes së dëshmitarëve të palës mbrojtëse, ku priten disa nga autoritetet e larta të kohës së luftës. Dëshmitari i parë pritet të jetë James Rubin nga Shtetet e Bashkuara.

Hashim Thacin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, ZPS-ja i ngarkon me përgjegjësi për krime të pretenduara të luftës dhe ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”. Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.

Aktakuza ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit, ishte konfirmuar vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë