Banorët e fshatrave Thirrë dhe Sang në Mirditë, janë ngritur sërish në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e HEC-it dhe një fabrike uji në këtë zonë.
Ata u mblodhën pranë tunelit të Thirrës dhe me pankarta në duar marshuan drejt kantierit të ndërtimit. Më pas kanë tentuar të bllokojnë Rrugën e Kombit, duke u përplasur dhe me policinë.
Mësohet se banorët kanë thyer kordonin e policisë dhe janë ulur në mes të rrugës pranë tunelit në korsinë drejt Kukësit.
Banorët thonë se janë të vendosur për ndalimin e këtyre projekteve që i konsiderojnë abuzive.
Kjo është protesta e dytë në harkun kohor të 10 ditëve të banoreve të fshatrave Thirrë dhe Sang, ndërsa kanë depozituar dhe një kallëzim penal në prokurori për falsifikim të firmave.
Shqetesimit të tyre, iu bashkuan një sërë organizatash mjedisore si dhe deputetë e aktivistë të Lëvizjes Vetevendosje në Kosovë.
Në një reagim zyrtar, policia bën me dije se janë shoqëruar 33 persona në komisariatin e Lezhës dhe Mirditës. Në përfundim të hetimeve, sipas uniformave blu, 33 të shoqëruarit do të hetohen në gjendje të lirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




