Politike

‘O plehrë, ordiner’ / Tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, mbyllet pas 1 ore protesta para bashkisë së Tiranës

Nga Gazeta Si- Një tjetër protestë u zhvillua sot përpara bashkisë së Tiranës, aty ku mbështetësit e PD dhe PL janë mbledhur prej javësh tashmë duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit Erion Veliaj si i përfshirë në dosjen “5D”.

Protesta e ditës së sotme zgjati 1 orë dhe u shoqërua me tensione mes protestuesve dhe policisë.

Protestuesit kanë vendosur para bashkisë goma, të cilave u kanë vënë flakën por ka qenë i menjëhershëm reagimi i policisë, duke fikur zjarrin sapo ka nisur.

E gjitha kjo ka acaruar protestuesit të cilët kanë tentuar të përplasen me policinë por janë ndaluar nga policët. Ky episod ndodhi ndërkohë që fjalën e kishte Belind Këlliçi, i cili iu kthye njërit nga policëve duke i thënë “O plehrë, o ordiner, në vend se të merresh me Erion Veliajn, merresh me popullin e thjeshtë”.

Në një moment tjetër ka pasur një tjetër episod tensioni mes protestuesve dhe policisë. Policia ka hedhur ujë drejt protestuesit dhe këto të fundit kanë reaguar duke hedhur shishe uji drejt policëve.

Drejt bashkisë janë hedhur edhe flakadanë, si dhe vezë.

Ndërkohë që ndryshe nga protestat e mëparshme, kjo është protesta e dytë në radhë që nuk ka gardh metalik që ndan protestuesit nga forcat policore.

Deputeti Klevis Balliu tha se 85% e çështjeve mes qytetarëve dhe shtetit i fiton shteti si kurrë më parë pasi drejtësia është në funksion të shtetit.

“Të gjithë drejtorët me Veliajt, të gjitha këta kanë të përbashkët dy gjëra, shefin dhe skemën e vjedhjes të ideuar nga Veliaj. Ne protestojmë për drejtësi, për një Shqipëri më të mirë dhe për shqiptarët”.

Protestuesit janë larguar për t’u rikthyer përsëri të premten tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë