Ngjarje

Protestë 2 muaj nga vrasja e Martin Canit, në marshim edhe shoku i tij Luisi. Babai i 14-vjeçarit kërkon drejtësi: Nuk ishte grup kriminal, ngjarja zbardhej për 3 ditë!

Gazeta Si – Kur kanë kaluar 2 muaj nga vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani në shkollën “Fan Noli” nga një bashkëmoshatar i tij, prindër, qytetarë, të rinj dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar sërish këtë të shtunë për ngjarjen e rëndë.

Pas grumbullimit në shkollën “Fan Noli” ata marshuan drejt ministrisë së Arsimit. Të pranishëm në protestë ishin edhe prindërit e Martinit, ku babai i 14-vjeçarit bën thirrje për zbardhjen e ngjarjes.

Gjatë protestës, ata thanë se askush nga Prokuoria e Tiranës nuk i ka kontaktuar gjatë kësaj kohe, ndërsa thanë se e vetmja gjë që duan është që të bëhet drejtësi.

Në marshim merrte pjesë për herë të parë edhe Luis Meçja, shoku i Martinit të ndjerë, i cili u plagos rëndë ditën e ngjarjes në 18 nëntor. Ai ka qene krah prindërve të Martin Canit dhe qytetarëve të tjerë të pranishëm në protestë. Meçja i qëndron versionit të tij dhënë edhe më parë, se kanë qenë dy persona me thika.

“Fëmija besoj se është mbi të gjitha. Nuk kam fjalë se po përjetojmë një ngjarje shumë tragjike. Nuk flejmë gjumë, kemi një traumë shumë të madhe. Ju bëj thirrje prindërve, institucioneve, shëndetësisë sepse na ka kapur frika. Vetëm njëherë që kam shkuar tek Prokuroria dhe më tha që do t’i shkojmë deri në fund, po deri tani heshtja vret më shumë. Heshtja është shumë e madhe dhe kaluan dy muaj. Nuk ishte një grup kriminal ajo mund të zbardhej edhe brenda tre ditëve. Vetëm media e ka pasqyruar. I kemi drejtuar edhe letër shkollës dhe përgjigja e tyre është ne e kemi dërguar në Prokurori. Ne si prindër nuk kemi asnjë lloj informacioni”, shprehet babai i Martin Canit.

Ndërkohë nëna e Martinit 14-vjeçar shprehet se kërkon drejtësi për vrasjen e të birit. “Duam drejtësi, vetëm drejtësi kërkojmë asnjë gjë tjetër. Askush nuk më ka kontaktuar. Mesazhet i kam dërguar dhe unë dua vetëm drejtësi, kaq”, tha nëna e Martinit.

Dy nxënësit u konfliktuan në 18 nëntor pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku të dy ishin nxënës. 14-vjeçari Martin u godit me thikë nga bashkëmoshatari i tij, duke humbur jetën pas një sherri banal që kishte nisur fillimisht në rrjetet sociale.

Ngjarja tronditi të gjithë vendin, duke hapur diskutime mbi rritjen e dhunës te të rinjtë dhe sigurinë në institucionet arsimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë