Protestat kundër hidrocentraleve në zonat e Veriut të vendit kanë dalë përtej kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Aktivistë malazezë dhe shqiptarë të Malit të Zi u janë bashkuar banorëve të Kelmendit për të protestuar kundër ngritjes së një hidrocentrali në Lumin Cem, në zonën e Vermoshit.
Protesta nisi nga një grup të rinjsh nga Podgorica, të cilët si formë mospajtimi me vendimin e qeverisë shqiptare për të dhënë leje për të ndërtuar një hidrocentral në këtë zonë kanë udhëtuar me biçikleta nga Podgorica për në Tuz, në kufi me Shqipërinë.
“Mos e fusni Cemin nëpër tubacione” dhe “Cemi është pasuria jonë” protestuesit kundërshtojnë ngritjen e kësaj vepre.
Ngritja e HEC-it, thonë aktivistët, do të dëmtojë faunën dhe florën e pasur përgjatë gjithë rrjedhës së këtij lumi, që nga Shqipëria hyn më pas në Mal të Zi. E gjithë rrjedha e tij është e pasur me kafshë të rralla dhe bimësi të shumëllojtë, që sipas aktivistëve rrezikon të zhduken.
“Kur i këput venat trupit të njeriut, njeriu vdes. Kështu ndodh edhe me lumenjtë”, deklaroi për Reuters, Adem Kajosaj, një pensionist e peshkatar shqiptar i Malit të Zi.
Protesta ka patur edhe në anën shqiptare. Banorë vendas dhe përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe drejtuesja e shoqatës “Toka” kundërshtojnë ndërtimin e HEC-it. Ata thonë se janë ankuar në Strasburg dhe kërcënojnë që nëse qeveria nuk tërhiqet nga kjo leje, do të veprojnë sipas Kanunit.
Ndërtimi i HEC-it është në fazë të avancuar dhe protestuesit thonë se ka ndërprerë prurjet e lumit në Mal të Zi. Punimet për ndërtimin e HEC-it kanë filluar që në prill të këtij viti dhe kundër tyre janë shprehur njëzëri të gjithë këshilltarët e Bashkisë së Malësisë së Madhe.
Leja për ndërtimin e këtij hidrocentrali është dhënë nga një vendim i qeverisë më 16 tetor të 2017 për kompaninë “Mateo & Co”, e themeluar në maj të 2016, me administratore Elona Nikollaj dhe ortak me 50 për qind të aksioneve, Kastriot Bitanji.
Lumi Cem ka një gjatësi prej 60 kilometrash. Ngritja e HEC-it ka bërë bashkë shqiptarët dhe malazezët që jetojnë përgjatë rrjedhës së tij në të dyja anët e kufirit. Protestuesit malazezë akuzojnë qeverinë shqiptare se ka shkelur ligjet ndërkombëtare duke mos marrë miratimin e Podgoricës për dhënien e kësaj lejeje.
Kritika pati edhe për vetë qeverinë malazeze, që sipas protestuesve ka heshtur përballë këtyre shkeljeve. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë nënshkruar në fillim të këtij viti një marrëveshje për menaxhimin e përbashkët të ujërave.
Reuters thotë se përpjekjet e qeverive për të përmbushur me ngut objektivat e vendosur nga Pakti për Klimën i Parisit po shkatërron edhe ata pak lumenj të egër që kanë mbetur në gjithë rajonin e Ballkanit. Në Bosnje, Mal të Zi, Maqedoni dhe sidomos në Shqipëri janë mbi 3 mijë hidrocentrale të dhëna me leje në vitet e fundit. Një pjesë e tyre ka përfunduar, të tjerë janë në fazë ndërtimi dhe pjesa tjetër mbeten në fazë projektesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.