Ashtu siç ishte paralajmëruar, është zhvilluar këtë të hënë protesta në Himarë kundër arrestimit dhe mosbetimit të Fredi Belerit si kryebashkiak.
Protesta u zhvillua para zyrës së Omonia-s, dy ore, ku nuk ka munguar dhe prania e dhjetëra televizioneve greke të cilat kanë ndjekur që prej majit çështjen e arrestimit të kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, i cili u kap nga policia e qytetit bregdetar me akuzen për shit-blerje votash.
Në përgjigje të këtij manifestimi, ishte organizuar edhe policia e Vlorës, si edhe forcat e rendit dhe FNSH në Himarë. I pranishëm në protestë ishte edhe ish-ministri Ylli Manjani, si dhe kreu i kreu i PBDNJ, Vangjel Dule.
Fredi Beleri u arrestua vetëm dy ditë para zgjedhjeve, nën akuzë për blerje votash, pas publikimit të disa videove dhe audio përgjimeve. Pjesë e këtij tubimi ishte kreu i Bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis, por edhe Kryebashkiaku i Selanikut dhe Korfuzit.
Kreu i Bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis në fund të tubimit të zhvilluar në Himarë kërkoi lirimin e Fredi Belerit.

“Demokracia nuk burgoset. Zëri i qytetarëve nuk hesht. Urdhri i popullit nuk shkelet. Himara ka kryebashkiak e ka zgjedhur kryebashkiakun dhe ai është Fredi Beleri. Thërrisni emrin e tij sepse kryebashkiaku juaj ka emër dhe ai është Fredi Beleri. Fredi Beleri ka të drejtën e një gjyqi të drejtë. Fredi Beleri ka të drejtë të betohet si kryebashkiak dhe të marrë detyrën e tij. Është e drejta e tij, por është e drejta edhe e popullit të Himarës. Dëshiroj të mirëpresim Shqipërinë në familjen europiane, duam të jetojmë bashkë në shtëpinë tonë të madhe, por kjo shtëpi do themele, shteti i së drejtës, demokracia, janë principet tona dhe janë të panegociueshme”, tha ai.
Kryebashkiaku i Selanikut, Kostantinos Zervas i pranishëm në protestën e zhvilluar në Himarë për lirimin e Belerit, nuk i ka kursyer thirrjet nacionaliste.
Ai theksoi se Fredi Belerit po i shkelen të drejtat “ Këto troje janë të mbushura me dashuri për helenizëm”.
Tubimi u organizua nga “Omonia” në Pedonalen Qendrore të Himarës.
Kalimi i afatit tre mujor i parashikuar nga Ligji Zgjedhor për betimin e Fredi Belerit, legjitimon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të vazhduar procedurat për përsëritjen e zgjedhjeve në Himarë.

Por kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, iu drejtua kryeministrit: “Dëshiroj që sërish t’i kujtoj se çdo moment që zgjatet burgosja e tij, po kaq zvogëlohet qëndrimi i tij në pushtet. Edi Rama nuk e di më kë është ngatërruar”
Nderkohe Sali Berisha kishte dërguar Ivi Kason në protestë, por edhe kryetaren e PD Rithemelimi të Himarës.
Tubimi vijoi i qetë dhe pa incidente me dy gjuhë shqip dhe greqisht.

Në dy gjuhë foli në minutat e fundit të tubimit edhe Fredi Beleri përmes një regjistrimi audio nga burgu ku ndër të tjera tha se ndihet fitimtar pavarësisht se ku ndodhet dhe la të kuptoje se beteja politike po bëhet për pronat në Himarë.
Athina zyrtare prej kohësh ka kërkuar lirimin e Fredi Belerit nga burgu, duke “kërcënuar” se kjo çështje mund të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe procesion e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




