Mijëra njerëz u mblodhën në qendrën e Beogradit mbrëmjen e së shtunës(3 qershor), në një protestë antiqeveritare të thirrur nga forcat opozitare.
Kjo ishte protesta e pestë që mbahet në kryeqytetin serb nën sloganin “Serbia kundër dhunës”.
Prej disa javësh opozita del në rrugët e qyteteve kryesore serbe për të protestuar kundër qeverisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, të cilët sipas saj, janë përgjegjës për rritjen e e episodeve të dhunës në Serbi, që kulmuan me dy masakrat në fillim të majit.
Turma, duke brohoritur parulla kundër presidentit Aleksandër Vuçiç, parakaloi rrugëve të Beogradit, për t’u mbledhur para selisë së tij në qendër të qytetit. Ata lëshuan një tullumbace të madhe me mbishkrimin “Vuçiç ik”.
Protestuesit e opozitës kërkojnë dorëheqjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe heqjen e licencave të transmetimit për rrjetet televizive të cilat, thonë ata, promovojnë dhunën dhe lavdërojnë figurat e krimit.
Një protestë e re është planifikuar për javën e ardhshme, në atë që po bëhet një sfidë gjithnjë e më serioze për Vuçiçin, ndoshta më e madhja me të cilën ai është përballur që nga ardhja në pushtet 11 vjet më parë.
Demonstruesit kërkuan mes të tjerash dhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Bratislav Gasic dhe kreut të shërbimeve sekrete Aleksandar Vulin.
Protesta vijnë pas ngjarjes së rëndë në shkollë, ku një i mitur vrau 8 nxënës dhe rojet dhe asaj një ditë më pas ku sërish një 21 vjeçar vrau 8 të tjerë në rrethinat e Beogradit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




