Për herë të parë nuk zhurmuan me boritë e makinave. Të enjten e mbasdites së 4 qershorit po kumbonte jehona e një tubimi njerëzish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Rrugët paralele krejtësisht të bllokuara. Trafiku në kaos. Nuk pati shoferë makinash të grindur. E as policë, me kokëçarjen, për t’u dhënë drejtim nervave…
Një solidaritet në heshtje, si asnjëherë tjetër në Tiranë, (kur bllokohen rrugët) për atë që dëgjohej e protestohej në rrugën kryesore të Tiranës…
***
…Qyshse lindi ajo ishte S. Ndihej pa emër…Sot është 15-vjeçarja e dhunuar, abuzuar, poshtëruar, është emri i zhgarravitur suvave, është askushi për askënd, është syri i humbur nga prindërit, është e padukshme për mësuesen, është preja e epsheve të një plaku tërë jargë e lëkure varur, është viktima e dhunuesit të një tjetër vajze në të njëjtën shkollë…
Por, është edhe mikja e bashkëmoshatares, Erisa Fjolla. Është shënimi i saj në Facebook. Është ndërgjegja që mblodhi protestën në Bulevard. Është zëri që nuk mund të flasë, por mund të dëgjojë. Është kundër dhunës, bullizmit, abuzimit seksual, pedofilisë, heshtjes, mosndeshkueshmërisë, paragjykimit, diskriminimit, pabarazisë, mos reagimit, turpit, intolerancës, injorancës, është vetë zëri qytetar, është pankarta që mbajnë në duar, e ka mbushur sheshin me qindra. Sepse sot ajo nuk është vetëm S…
…Në një protestë të rrallë në Shqipëri (qysh prej armëve kimike), asnjë nuk erdhi për askënd. Ata u derdhën në bulevard për të ngjashmin e tyre. Ishte ajo ç’ka besonin. I ri, grua, burrë, e mitur, e rritur, prind, e gjyshe…
Nuk ishte mendimi, por ishte arsyeja. Ishte një nxitje e brendshme e pa komanduar e grishtur fort nga një rast tronditës si shumë 15 vjeçare me emrin S. Nuk kishte nevojë për fjalë e fjalime elokuente. Sepse 15 vjeçarja e abuzuar u dha njerëzve diçka që duhet të besojnë dhe kërkojnë në këtë vend.
Pavarësisht seksit, orientimit, ngjyrës, racës, kombësisë, fesë, i varfër apo i pasur qoftë, atë ditë ata ishin të gjithë njësoj. Një demonstrim i prekshëm dhe realitet i provueshëm, një pikë kthese për vetë shoqërinë tonë…
“Ajo që ndodhi ishte mbresëlënëse. Ishte një grumbullim jo i natyrës politike. Ishte një manifestim i bukur. U protestua në mënyrë civile, jo vetëm kundër një dukurie të shëmtuar, por në përgjithësi kundër disa simptomave që shoqëria jonë patriarkale i ekspozon herë pas here… Ai manifestim më la një përshtypje shumë të mirë sepse kisha kohë që nuk kisha parë një mobilizim të tillë të natyrës civile. Ndoshta hera e fundit në Shqipëri ka qënë ajo kundër idesë për armët kimike në vend…”, thotë analisti Mustafa Nano për Gazetën “Si”.
***
…“Bëj diçka që ka kuptim”. Sinteza e viteve ‘80-‘90 e botës së qytetëruar bash kur flitej e protestohej fort për shumëçka është po aq aktuale sa edhe sot.
Edhe në Shqipëri çdo lëvizje sado e vogël qoftë, qysh prej armëve kimike, drejtim të ri nuk ka sjellë, por një reagim po.
Në 2018 ishin pak. Por me zë dhe reagim të fortë kundër vendosjes së taksës për rrugën Durrës-Kukës. Dogjën e shkrumbuan, thyen traun që ndante Kukësin me rrugën drejt Kosovës për të thënë se në “tokën” e tyre nuk mund të futen me para. Dhe mbi të gjitha nuk mund të vendosen rregulla pa i pyetur e dëgjuar. Një gjysmë beteje banorët e Kukësit e fituan për veten, edhe pse jo për të tjerët.
Për dy vjet gati banorët e Astirit protestuan e bllokuan nyjën kryesore të Tiranës. U përleshën me policinë e u mallkuan nga shumëkush. Paralizuan Tiranën, por fituan dëmshpërblimet nga prishja e shtëpive të tyre.
Lëvizjet janë të shkëputura, por heterogjene dhe po e orientojnë shoqërinë në bazë të pasojave të saj…
Protesta e studentëve ishte më domethënesja. Ajo çoi në ridimensionim të kabinetit qeveritar dhe hartimit të një letre të gjatë premtimesh nga qeveria.

Studentët nuk u identifikuan me një emër. Nuk kishte drejtues. Sepse frymëzoi jo njeriu, por kauza. Ligjërata e tyre nuk ishte politike, dhe zgjati aq sa kur ajo u fut në lojë.
Sepse politika është vënë gjithnjë në kërkim të vjegave që t’i lidhin me diçka. Por jo me thelbin. Ndaj dhe dështojnë.
“Mësimi që del nga këto protesta është që edhe partitë duhet t’i referohen problemeve, që janë reale. Njerëzit duhet të ndjejnë atë që është e sinqertë dhe e vërtetë. Këto protesta kanë të mirën sepse i referohen problematikave konkrete dhe tregojnë që ka një koshiencë të re në Shqipëri për të mbrojtur liritë dhe të drejtat, për të dëshmuar solidaritet ndaj individëve që u janë shkelur të drejtat, për të demonstruar një formim të ri në lidhje me vetë atë që është shoqëria civile në një vend demokratik…”, thotë publicisti Preç Zogaj për Gazetën “Si”.
***
… Në pamundësi të zgjidhjes së problemeve, njerëzit po reshtin së dëgjuari…Dhe po ngrenë krye.
Në një formë apo tjetër, në ndërgjegjie, ata janë jelekverdhët e Francës për rritjen e çmimeve, janë jelekportokallinjtë e Italisë kundër COVID-19, por janë edhe fryma e kohës në SHBA e iniciuar nga vdekja e një afro-amerikani, për të thënë se “nuk marr dot frymë” ndaj presionit, masave, shumëçkaje që na rrethon …
Sepse siç do të thoshte Karl R. Popper, e adhmja varet nga ajo që ne, dhe shumë të tjerë do të bëjmë sot, nesër dhe pasnesër.
Përgjegjësia, sipas tij, është më e madhe nëse bëhemi të ndërgjegjshëm për të vërtetën se ne nuk dimë asgjë ose dimë aq pak sa kemi të drejtë ta emërojmë si asgjë…
Dhe duhet ta fillojmë nga këtu, për të shkuar pastaj tek vendimet e drejta. Dhe ato që frymëzojnë…
Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.








