Kosova

Protestat në veri vazhdojnë, liderët evropianë diskutojnë për Kosovën në Moldavi. Pjesë e takimit dhe Osmani

Gazeta Si – Serbët në veri të Kosovës vijojnë sot ditën e katërt të protestave, ku kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 Prillit.

Sakaq, përpjekjet e ndërkombëtarëve për të ulur tensionet në Kosovë po intensifikohen. Edhe ditën e sotme në takimin e Kishinjevit në Moldavi, ku do të marrin pjesë të gjithë liderët europianë do të diskutohet çështja e veriut të Kosovës.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Në këtë organizim e pranishme do të jetë dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Një ditë më herët, Borrell takoi në Bratisllavë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një postim në Twitter pas takimit, Borrell tha se situata në veri të Kosovës është “e rrezikshme dhe e paqëndrueshme”.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se ai i kishte kërkuar kryeministrit të Kosovës në Sllovaki të mërkurën që të luante rolin e tij në zbutjen e krizës dhe tha se shpreson që të njëjtin mesazh t’ia transmetonte presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Moldavi.

Bëhet e ditur se edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet në Kishinjev për këtë samit. Samiti në Moldavi do të prekë gjithashtu një sërë çështjesh strategjike, duke filluar nga energjia te siguria kibernetike dhe migrimi.

Lista Serbe është shprehur se protestat do të vijojnë deri kur të përmbushen kërkesat e tyre, deri sa të tërhiqen kryetarët shqiptarë dhe të largohen njësitë speciale të policisë së Kosovës.

Gjatë një adresimi më 31 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i refuzoi ato, por la të hapur mundësinë për zgjedhje të reja lokale.

NATO-ja do të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë. Po ashtu është vendosur një batalion tjetër në gjendje gatishmërie të lartë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët qortuan Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, duke thënë se përdorimi i forcës për të instaluar kryetarët në komunat me shumicë serbe, minoi përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Blinken i bëri thirrje Kurtit që të tërheqë forcat policore nga veriu, ndërsa Vuçiç të ulë nivelin e gatishmërisë së ushtrisë.

SHBA-ja, mbështetësja më e madhe e pavarësisë së Kosovës, vendosi të anulojë pjesëmarrjen e Kosovës në një stërvitje ushtarake të NATO-s, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë