Futboll

Protestat fusin në kaos edhe kampionatin francez

Protestat masive që kanë përfshirë qytetet kryesore të Francës në javët e fundit kanë prekur edhe sportin. Disa ndeshje të kampionateve franceze në futboll dhe hendboll janë anuluar ose shtyrë. Kriza ka mbërritur edhe në nivelin më të lartë të kampionatit francez në futboll, Ligue 1. Janë plot katër ndeshje të planifikuara për t’u luajtur këtë të shtunë në elitën e futbollit francez, por që janë shtyrë.

Bëhet fjalë për sfidat Paris SG – Montpellier; Angers – Bordeaux; Nimes – Nantes dhe Toulouse – Lyon. Edhe ndeshja mes St Etienne dhe Marseille, e planifikuar për t’u zhvilluar mbrëmjen e se është shtyrë për një afat të pa caktuar. Kishte që prej ditës së mërkurë që përflitej kjo mundësi, por vetëm gjatë orëve të vona të së premtes është marrë vendimi zyrtar.

Të pesta ndeshjet nuk do të luhen këtë të shtunë dhe ende nuk ka një vendim nga ana e federatës franceze të futbollit se kur mund të luhen. Gjendja e kaosit shtohet edhe më shumë, pasi nuk dihet kur mund të mbarojnë protestat. Për disa nga këto ekipe shtyrja mund të ketë një efekt pozitiv, pasi do të kenë më shumë kohë në dispozicion, për t’u përgatitur. Por kjo gjë nuk mund të thuhet për PSG dhe Lion, që do duhet të bëjnë llogaritë edhe me ndeshjet që kanë në Kupat e Europës.

Protestat në Francë vijojnë prej disa javës dhe në disa raste janë bërë edhe të dhunshme, duke shkaktuar disa të lënduar si nga radhët e protestuesve edhe nga efektivët e rendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë