Politike

Protestat e opozitës si presion ndaj SPAK, Belind Këlliçi: Erion Veliaj të shkojë para drejtësisë, betejës do t’i shkoj deri në fund

Nga Gazeta Si - Partia Demokratike do të zhvillojë një protestë kombëtare në 11 Korrik me kërkesa politike që lidhen me zgjedhjet e ardhshme. Por deri tani, kjo lëvizje raportohet të jetë e veçuar, pa protesta pasuese. Ajo që duket si një lëvizje e konsoliduar e PD është protesta tek Bashkia e Tiranës, e cila synon largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe vënien e tij para drejtësisë.

Me këtë qëllim, ish rivali i tij demokrat për Bashkinë e Tiranës deklaroi në një intervistë për Gazeta Si edhe vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund betejës. “Jemi të vendosur të mos i ndalim protestat derisa SPAK të bëjë drejtësi dhe të marrë të pandehur Erion Veliajn. Ne nuk do të ndalemi, kurdo qoftë ky moment” tha Belind Këlliçi, duke marrë parasysh që hetimet për incineratorit e Tiranës janë shtyrë deri në gusht. Por a është Erion Veliaj shënjestra e gabuar e PD, kur zgjedhjet janë më pak se 10 muaj larg dhe beteja qendrore është me kryeministrin Rama? Belind Këlliçi ka një përgjigje interesante për këtë dhe për mbështetjen që Departamenti amerikan i Shtetit po i jep SPAK-ut, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit.

Gazeta Si: Ju keni lajmëruar një protestë kombëtare para kryeministrisë në 11 Korrik, por ndërkohë, keni një aksion tjetër më të qëndrueshëm, protestën para Bashkisë së Tiranës. Problemi qëndron se, deri tani, protesta nuk e ka arritur, objektivin e largimit të Erion Veliajt. Është një luftë me mullinjtë e erës?

Belind Këlliçi: Me protestën e 11 Korrikut ne tregojmë se shumica e shqiptarëve duan zgjedhje të lira dhe qeveri teknike, që të mos qeverisen nga korrupsioni. Është në të njëjtën linjë me protestat antikorrupsion para Bashkisë së Tiranës. Ky ka arritur të kthehet në një aksion i konsoliduar, pasi, kurrë më parë nuk jemi përballur me një vjedhje kaq flagrante, të mbështetur në prova të pakontestueshme. Janë bërë 14 protesta deri tani dhe, pa asnjë diskutim, që do të vazhdojmë aksionin tonë të protestave para Bashkisë Tiranë. Nuk mund të thuhet që ne jemi në një luftë me mullinjtë e erës, pasi kauza jonë është shumë e drejtë. Organeve të reja të drejtësisë, i kërkohet të zbatojnë ligjin njësoj për të gjithë. Të mos sillen si kolegët e një hajduti, siç i etiketoi Erion Veliaj, por të ngrihen në nivelin e detyrës. Të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjin. Të veprojnë si prokurorë të shtetit, jo si shërbime private të qeverisë.

Gazeta Si: Ka disa që mendojnë se është gabim strategjik përqendrimi i betejës së opozitës para bashkisë së Tiranës dhe jo para kryeministrisë, kur zgjedhjet janë vetëm 10 muaj larg. Është e mjaftueshme vetëm protesta e 11 Korrikut për ta zhbërë këtë perceptim?

Belind Këlliçi: Uroj të mos jenë nga ata që i shohin zhvillimet nga divani i shtëpisë, në komoditetin e kondicionerit, duke shtyrë kohën. Megjithatë, do t’u thoja që kushdo që mendon se duhet protestuar para kryeministrisë, të vijë e të protestojë para kryeministrisë në protestën e thirrur nga opozita ose të bëjnë edhe vetë të njëjtën gjë. Të mobilizojnë njerëz dhe të organizojnë protesta para kryeministrisë. Asgjë nuk ndryshon vetëm duke folur. Duhet veprim. Nga ana tjetër, aksioni tek Bashkia e Tiranës nuk është aksion që ka të bëjë vetëm me Erion Veliajn. Ka të bëjë me filozofinë e kësaj qeverisje, ka të bëjë me filozofinë e Edi Ramës dhe të Rilindjes.

Mos harroni që Erion Veliaj është njeriu më i promovuar nga Edi Rama në këto 11 vite. Prandaj, çjerrja e maskës e gjithë modelit të drejtimit të bashkisë është një goditje jo vetëm për Bashkinë Tiranë, jo vetëm për Erion Veliajn, por për këtë maxhorancë dhe për Edi Ramën gjithashtu. Sepse njeriu që deri dje e konsideronin si pasardhësin e Edi Ramës, sot,  konsiderohet si i vdekur politikisht, pasi ka marrë një goditje të jashtëzakonshme politike. Prandaj, këto protesta nuk janë vetëm për Erion Veliajn. Po goditet modeli dhe nuk duhet të harrojmë që një pjesë e madhe e bashkëpunëtorëve të Edi Ramës ndër vite, ish-ministra, ish-deputetë janë në burg dhe disa të tjerë pritet të shkojnë në burg.

Gazeta Si: Ju jeni të vendosur në këtë aksion politik sepse e shihni Erion Veliajn si objektiv më të arritshëm për shkak të  hetimit nga SPAK?

Belind Këlliçi: Në rastin e Erion Veliajt, vetëm për incineratorët, unë personalisht, këto 9 muaj, kam depozituar 1900 faqe me dokumente në SPAK. Ka padi nga PD në 2020-ën, nga LSI në atë kohë, gjithashtu. Janë bërë me qindra emisione televizive dhe shkrime investigative. Nuk është çështja se Erion Veliaj është objektiv më i arritshëm, por është i kapur në flagrancë me fakte dhe prova në rastin e aferës së incineratorit të Tiranës për rolin e tij kryesor në këtë aferë, për rolin e tij kryesor në aferën e 5D. Aty është kokë e këmbë i përfshirë, me shtabin e tij elektoral, me të cilët vodhi zgjedhjet e 14 majit. Ai është i përfshirë edhe në aferën e Eco Tiranës, ku ka një material voluminoz, të depozituar nga ana jonë në SPAK. Duke qenë se provat janë përvëluese për Veliajn, beteja vijon në këtë front në mënyrë të vendosur, pa asnjë tërheqje.

Gazeta Si: Deri kur do të vazhdojë PD dhe opozita të jenë të angazhuar me protesta tek Bashkia e Tiranës?

Belind Këlliçi: Kjo betejë vazhdon deri në një vendim final nga SPAK, pra, derisa SPAK të marrë të pandehur dhe të çojë para drejtësisë Kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Duke qenë se hetimet janë shtyrë me 3 muaj, deri në fund të gushtit, ne do të duhet të presim dhe të vazhdojmë protestat. Por paralelisht, është edhe afera e kompanisë 5D, për të cilën Erion Veliaj duhet të shkojë para ligjit. Është e pamundur që dikush si Erion Veliaj, që ka mbi tryezë raportin e pëlqimeve, komenteve dhe shpërndarjes në rrjete sociale, të mos dijë që i gjithë zinxhiri drejtues i drejtorëve kryesorë të Bashkisë Tiranë ishte përfshirë jo në një, por në të paktën 45 tendera, ku kanë vjedhur fondet 100%. Pra, jemi të vendosur të mos i ndalim protestat derisa SPAK të bëjë drejtësi dhe të marrë të pandehur Erion Veliajn. Ne nuk do të ndalemi, kurdo qoftë ky moment.

 Gazeta Si: Ju jeni investuar personalisht në denoncimin e disa vendimeve të kryebashkiakut Veliaj dhe të drejtuesve të tjerë në bashki për çështjen e incineratorëve, por dhe disa tendera të tjerë. Çfarë efekti kanë patur këto denoncime? 

Belind Këlliçi: Gjykoj që denoncimet që kam bërë, edhe në aspektin personal, kanë dhënë një impakt shumë të mirë për ndërgjegjësimin e qytetarëve, për aferat korruptive në Bashkinë Tiranë për modelin e vjedhjes dhe abuzimit që ka instaluar Erion Veliaj  në Bashkinë e Tiranës. Kur unë isha kandidat për Bashkinë e Tiranës, pasi shumica e denoncimeve janë bërë në atë periudhë, mars-prill-maj, mund të jenë konsideruar si akuza politike, të lëshuara nga njëri kandidat drejt tjetrit.

Por, kur zgjedhjet mbaruan, rezultati u deformua, unë nuk hoqa dorë nga beteja dhe e kalova pjesën e denoncimeve nga aspekti politik në atë juridik. Depozitova aktet zyrtarisht në SPAK dhe mendoj që kjo është një qasje ndryshe e një kandidati dhe e politikani. Unë nuk e përfundova betejën ditën e zgjedhjeve. 14 maji nuk ishte rezultati që prisnin qytetarët e Tiranës dhe që priste PD, por premtimin që u kam dhënë qytetarëve të Tiranës e kam mbajtur deri në fund: do t’i heq maskën Erion Veliajt dhe shtabit të tij elektoral, me të cilin vodhi zgjedhjet dhe vjedh çdo ditë qytetarët. Në këtë aspekt mendoj që kam mbajtur fjalën në raport me zgjedhësit, me votuesit dhe me qytetarët e Tiranës

Gazeta Si:  Shihni angazhim real nga Prokuroria e Posaçme si një nga kontributorët kryesorë me denoncimet e kallëzuara?

Belind Këlliçi: Përr hir të së vërtetës, deri tani, nga Prokuroria e Posaçme kam parë një reagim dhe qasje ndryshe, përsa i përket rastit 5D, ku nuk mund ta mohoj se ka patur një ritëm të pëlqyeshëm, fillimisht me hetimet që janë bërë nga prokurori Klodan Braho. Për hir të së vërtetës, brenda 9 muajsh nga depozitimi i kallëzimit prej meje, prokurori Braho ia doli të zbardhë këtë skemë dhe të hedhë dritë mbi këtë aferë të padëgjuar në Shqipëri, atë të vjedhjes 100% të fondeve publike nga drejtorët e bashkisë.

Megjithatë, fakti që 5D vijon të operojë si kompani dhe administratori i kompanisë vijon të shesë asetet, pronat dhe kompania nuk sekuestrohet, më lë shije të keqe mbi arsyet se pse nuk vendoset sekuestro mbi këtë kompani, njësoj siç u bë me rastin e Ervis Berberit, drejtorit të Agjencisë së Rrugëve. Në lidhje me incineratorin e Tiranës, jam thellësisht i pakënaqur me ritmin e hetimeve, pasi fatet dhe dokumentet janë aty, janë ulëritëse, janë të pakontestueshne.  Të gjitha provat e provojnë përfshirjen dhe implikimin e Erion Veliajt në këtë aferë. Jam shumë skeptik dhe thellësisht i pakënaqur me punën që SPAK po kryen për incineratorin e Tiranës

.

Gazeta Si: Sa e rrezikon besueshmërinë e opozitës goditja ndaj SPAK-ut, kur vetëm pak ditë më parë, mori nga  Departamenti i Shtetit mbështetje maksimale, duke e përgëzuar, veçanërisht për dhënien fund të pandëshkueshmërisë?

Belind Këlliçi: Të kërkosh që SPAK të kryejë detyrën, të kërkosh që SPAK të ketë një qasje proaktive dhe jo vetëm të presë kallëzimet e PD dhe të opozitës për të bërë punën e vet, të kërkosh që prokurorët e shtetit të jenë prokurorë dhe jo kolegë të hajdutëve si Erion Veliaj, këto nuk duhet të konsiderohen goditje ndaj SPAK-ut. Mendoj që kjo që unë personalisht po bëj dhe ne si opozitë po bëjmë, është një farë presioni pozitiv dhe një kritike me vend për punën e SPAK-ut. Kjo është e shëndetshmë dhe i shërben konsolidimit të institucioneve të drejtësisë në vend. Personalisht, e kam asistuar këtë strukturë me mijëra faqe dokumente dhe me këto prova besoj se i kam ardhur në ndihmë SPAK-ut.

Thënë këtë, besoj se ju nuk po shihni ndonjë goditje, por një kërkesë llogarie, një kërkesë në mënyrë që në Shqipëri të ketë drejtësi dhe të ketë një standard. Sot, Zoti Berisha mbahet i arrestuar për 188 ditë pa prova, pa fakte, pa akuzë. Ndërkohë, SPAK, vijon të lërë të lirë pronarin real të incineratorit të Tiranës, që është Erion Veliaj dhe është etiketuar si i tillë nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj. Jo vetëm e lë të lirë, por as nuk i përmend emrin pronarit faktik të incinieratorit të Tiranës dhe kreut të bandës 5D, Erion Veliaj. Ajo që unë dhe PD kërkojmë nga SPAK është të ketë një standard. Prokurorët të mos kenë frikë të zbatojnë ligjin dhe personat e korruptuar t’i çojnë para drejtësisë. Në raport me qendrinet e Departamentit të Shtetit, nuk kam dëshirë t’i komentoj, përsa kohë ata nuk vënë gishtin në plagë dhe nuk tregojnë me gisht dyshen më të korruptuar në Shqipëri, Edi Rama dhe Erion Veliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë