Politike

Protestat e opozitës, Rama: Bëhen kundër turizmit, sikur jemi zhytur në korrupsion

Gazeta Si – Në një kohë opozita i kërkon dorëheqjen pas skandaleve të shumta, kryeministri Edi Rama, tha se protestat e opozitës nuk janë ashtu siç duken.

Pas inspektimit të aksit rrugor Librazhd-Prrenjas, ai deklaroi se protestat bëhen për të larguar turistët dhe për të krijuar idenë se Shqipëria është vend i zhytur në korrupsion.

‘’Siç është e vërteta që gjithë çfarë bëhet në ato pocaqi protestash, janë si jashtëderdhje njerëzore në bulevard dhe bëhet vetëm për fotografitë që prodhohen nga zjarret dhe dhuna për t’u çuar nëpër botë dhe për të thënë kjo është Shqipëria, mos shkoni në Shqipëri, mos bëni turizëm në Shqipëri se Shqipëria është e zhytur në korrupsion e bla bla bla, – u shpreh ai. – Si qenka Shqipëria e zhytur në korrupsion kur korrupsioni në Shqipëri luftohet më shum se çdo herë tjetër. Edhe rastet që trajtohen janë 80% që i përkasin mandatit të parë dhe të dytë. Shumë më ndryshe është e vërteta nga sa tregohet. Patjetër që kemi dhe ne probleme me korrupsionin, por nuk po e lufton askush në rajon si ne’’, – tha Rama.

Pasi pa nga afër qarkullimin e automjeteve pas rihapjes së aksit Librazhd-Prrenjas, kreu i qeverisë tha se ishte e nevojshme që të vinte vetë për ta parë shembjen, ndërsa pretendoi se ndaj qeverisë ishte hedhur baltë me akuza të pavërteta.

“Gjithë tollovia e madhe që u shemb rruga nga punimet, është një manipulim i madh, një perversitet i madh, sepse faktikisht, këtu jemi në aksin e vjetër. Aksi i ri nuk është këtu, në kuptimin, nuk është i ndërtuar ende këtu. Akse të reja janë ato që kalojnë për të ardhur deri këtu. Ajo atje është një rrëshqitje e shkaktuar nga faktori gjeologjik, prej mbingarkesës së shirave”, deklaroi Rama nga terreni.

Më pas, në tryezë, ai ritheksoi se rrëshqitja është një fenomen plotësisht natyror. “Plaga prej 150 metrash ka shkaktuar një rrebesh balte të jashtëzakonshëm të prodhuar nga makineria e baltës politike e mediatike”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë