Nga Gazeta ‘Si’- Protestat popullore në Serbi, që nisën menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare dhe akuzave ndaj presidentit Aleksandar Vuçiç dhe partisë në pushtet për manipulim, blerje vote dhe falsifikim të rezultateve, mund të përdoren për ta destabilizuar situatën në Ballkan.
Opozita serbe, e përfaqësuar nga koalicioni “Serbia kundër dhunës”, protestoi kundër shkeljeve të regjistruara gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale. Më 24 dhjetor, protestuesit rrethuan godinën e bashkisë së Beogradit, rrëzuan derën kryesore, thyen xhamat dhe u përpoqën të futeshin brenda.
“Serbia kundër dhunës”, është një koalicion i formuar nga parti të ndryshme politike pas masakrave me armë në një shkollë fillore të kryeqytetit, por edhe ngjarjeve të rënda në Mlladenovc dhe Smederevo në maj të këtij vitit. Për pasojë, më 30 dhjetor në Beograd do të ripërsëriten zgjedhjet lokale në 30 qendra votimi.
Ne vlerësojmë se protestat në Beograd, ishin një operacion i planifikuar nga qeveria serbe dhe një lojtar i huaj. Në prag të protestave në Beograd, ambasadori rus në Serbi Bocan-Harchenko zhvilloi një takim me presidentin Vuçiç, ku i dha këtij të fundit të dhënat e FSB-së ruse, që flisnin mbi trazirat e ardhshme në vend, të organizuara sipas Moskës nga Perëndimi.

Ai takim sinjalizoi fillimin e një fushate të mundshme ndikimi të organizuar nga Kremlini për të goditur udhëheqjen e Beogradit. Gjatë protestave në Novi Pazar, protestuesit brohoritnin për UÇK-në (Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës) dhe Hashim Thaçin. Prandaj themi se ka shumë gjasa që këto protesta të jenë organizuar nga jashtë.
Sepse në përgjithësi serbët mbajnë një qëndrim armiqësor ndaj UÇK-në dhe Hashim Thaçit, që është në pritje të gjykimit në Hagë. Përdorimi i UÇK-së dhe Thaçit në agjendën e brendshme politike serbe (edhe nga forcat opozitare) është thjesht i pamundur.
Megjithatë, përmendja e tyre është një provë potencialisht e besueshme, që ofron arsye për ta akuzuar qeverinë e Vuçiç për përfshirjen e palëve të treta në organizimin e trazirave në vend. Prandaj, ne mendojmë se është shumë e mundshme përfshirja e shërbimit sekret rus në trazirat serbe. Në këtë operacion kontribuojnë faktorët e mëposhtëm:
1. Qendra e grupit Wagner në Nish, e cila mund të shërbejë si një bazë operative për mbështetjen e operacioneve të ndikimit në territorin e Serbisë.
2. Informacioni i Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse që iu dha qeverisë së Vuçiç, ishte një hap i planifikuar dhe kontrolluar drejtpërdrejt nga kreu i Këshillit të Sigurisë Ruse, Nikolai Patrushev, i cili aktualisht është përgjegjësi kryesor për organizimin e operacioneve speciale.
Në Rusi, FSB-ja është përgjegjëse për organizimin e provokimeve kundër opozitës. Rusët e ekzagjeruan enkas kërcënimin e një “revolucioni me ngjyra” në Serbi, për të frikësuar regjimin e Vuçiç, megjithëse presidenti serb nuk kishte asnjë informacion të konfirmuar për një grusht shteti të mundshëm.
Qeveria nuk mori masa të veçanta për të trajtuar situatën, përfshirë vendosjen e forcave ushtarake në Beograd. Kjo tregon se regjimi i Vuçiç e kontrollon plotësisht situatën.
Ndoshta protestat mund të jenë një operacion i përbashkët i rusëve dhe Vuçiç për të zhvendosur vëmendjen nga manipulimi i zgjedhjeve, për të krijuar parakushtet për operacione ushtarake në rajon dhe për ta luftuar opozitën serbe me klishetë ruse. Kësisoj, ky operacion mund t’i japë Kremlinit dorë të lirë për të arritur disa qëllime :
1. Rënia e besimit të Perëndimit ndaj Aleksandar Vuçiç.
2. Goditje e planeve për integrimin evropian të Serbisë.
3. Rritje e varësisë së Beogradit nga Moska.
4. Nxitja e Vucic për t’i ofruar Rusisë ndihmë ushtarake në luftën e saj kundër Ukrainës.
5. Akuza ndaj Prishtinës për pjesëmarrje në trazira, me synim provokimin e reagimit të dhunshëm të serbëve, gjë që do të çonte në një konflikt të ri në Ballkan, dhe do të shmangte vëmendjen e Evropës nga lufta në Ukrainë.
6. Fabrikimi i arsyeve të forta për të kryer një operacion ushtarak kundër Kosovës, plan që duket se është përgatitur gjatë 2 viteve të fundit. Mbështetja e Kosovës nga Perëndimi, do të përdoret nga Moska për të konfirmuar tezën e saj të propagandës dhe dezinformimit, duke thënë se ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë është e provokuar nga Perëndimi.
Ne presim që përfaqësuesit e qeverisë serbe, siç është ish-kreu i shërbimit sekret Aleksandar Vulin, mund ta akuzojnë Kosovën për përfshirje në organizimin e trazirave me mbështetjen e Perëndimit. Ky skenar konfirmohet indirekt edhe nga deklarata e kreut të qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se persona të armatosur, të mbështetur nga shërbimet serbe të sigurisë, po përgatisin sulme të reja në vendin e tij.
Burimi: Lansing institute/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




