Bota

Protesta të reja kundër Francës në Niger. Biden: Lironi presidentin Bazoum

Gazeta Si – Udhëheqësi i grushtit të shtetit, gjenerali Abdourahamane Tchiani ka kohë deri të dielën e 6 gushtit për të liruar Mohamed Bazoum, presidentin legjitim të Nigerit.

Përndryshe, ECOWAS, organizata ekonomike e 15 vendeve të Afrikës Perëndimore, është gati të rivendosë me forcë rendin kushtetues.

Ky bllok vendesh duket se lëviz në koordinim të ngushtë me Francën dhe mbi të gjitha me Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Joe Biden, bëri thirrje publikisht për “lirimin e menjëhershëm” të Bazoum dhe “rivendosjen e demokracisë së fituar nga populli i Nigerit me një luftë të vështirë”.

Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, ka kërkuar gjithashtu lirimin e presidentit, i cili është i burgosur me familjen në rezidencën e tij që nga 26 korriku.

Por nga Nigeri, nuk ka shenja të tensionit. Konsensusi popullor i Bazoum-it duket se është zhdukur, ndërkohë që edhe dje mijëra njerëz demonstruan në mbështetje të juntës ushtarake.

Sërish sloganet “poshtë Franca”, “rroftë Putin” dominuan edhe në sheshin e qyteteve të tjera të vendit: nga Agadez (në veri) në Maradi (në jug).

Megjithatë, këtë herë, ndryshe nga e diela e kaluar kur u sulmua ambasada franceze, nuk pati asnjë incident: në mesditë të gjithë aktivistët ishin në shtëpi.

Tubimet përkonin me festimet për 63-vjetorin e pavarësisë nga Franca, organizuar nga koalicioni i “nacionalistëve”, M62, i cili garantonte shërbimin e rendit.

Mbrëmjen e së mërkurës, gjeneral Tchiani iu kishte drejtuar francezëve një mesazh qetësues: “Nuk ka asnjë arsye objektive që ata të largohen, sepse për ta nuk ka asnjë kërcënim”.

Në realitet, situata mbetet në mënyrë të rrezikshme. Shumë kanë vërejtur se në deklaratën zyrtare të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, nuk përdoret shprehja “grusht shteti”, por ajo më e zbehta e “sfidës ndaj demokracisë”.

Paralelisht, duhet të regjistrohet ndryshimi i tonit të përdorur nga francezët. Të dielën në mbrëmje, një ditë pas sulmit ndaj ambasadës në Niamey, presidenti Emmanuel Macron kishte bërë të ditur: “Ne do t’i përgjigjemi menjëherë dhe pa hezitim kujtdo që sulmon qytetarët tanë, ushtrinë tonë, diplomatët tanë”.

Atëherë ministrja e Jashtme, Catherine Colonna, kishte mohuar “një ndërhyrje ushtarake” të udhëhequr nga Parisi.

Së fundi, dje qeveria “i kërkoi” “forcave të rendit në Niger të garantojnë sigurinë e posteve diplomatike evropiane, veçanërisht ato franceze”.

Rreth1.500 ushtarë francezë dhe 1.000 amerikanë kanë marrë urdhër të mos largohen nga bazat.

Shtëpia e Bardhë, megjithatë, po lëviz në mënyrë të rezervuar në nivelin politik dhe diplomatik.

Të martën më 2 gusht, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, dërgoi një nga dy zëvendësit e tij, Jonathan Finer, në Gabon dhe, mbi të gjitha, në Nigeri, ku u takua me presidentin Bola Tinubu, të zgjedhur më 29 maj.

Tinubu, jo vetëm që drejton zyrtarisht Ecowas, por është në fakt një nga udhëheqësit më me ndikim të Afrikës Perëndimore.

Me mbështetjen e amerikanëve dhe francezëve, ai tashmë ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike që mbulon 70% të nevojave të Nigerit.

Vetë Shtëpia e Bardhë raporton se “Finer diskutoi me Tinubu se cilat mund të jenë hapat e ardhshëm në Niger”.

Amerikanët dhe francezët duan të shmangin konfrontimin e armatosur. Por nuk mungojnë daullet e luftës.

Ultimatumi Ecowas drejtuar puçistëve të Niamey është gati të skadojë. Aissata Tall Sall, ministër i Senegalit, një tjetër vend me ndikim në rajon, deklaroi se “nëse është e nevojshme, ushtarët tanë janë të gatshëm të ndërhyjnë në Niger”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë