Ne rrjet

Protesta antishqiptare në Greqi, politika apel për qetësi

Vrasja e ekstremistit Kostandinos Kaçifas pasi hapi zjarr ndaj policië shqiptare ka shkaktuar të tjera protesta të dhunshme në Greqinë Veriore, duke “mbjellë” një klimë mjaft të tensionuar për shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në vendin fqinj.

Policia greke ka qëlluar me gaz lotsjellës dhe granata, pasi protesta mori tone të dhunshme.  Manifestimet, të nxitura nga partia ekstremiste, Agimi i Artë, vinë ndërkohë që qeveria greke i ka kërkuar Shqipërisë që të sigurojë më shumë informacion në lidhje me ngjarjen në Bulurat të Gjirokastrës. Qindra persona morën pjesë në një tubim të mërkurën vonë në qytetin grek të Selanikut. Përleshjet filluan kur policia bllokoi hyrjen në Konsullatën Shqiptare, duke ndaluar protestën, vendim që zemëroi mbështetësit e grupeve politike të ekstremit të djathtë.

Përveç përplasjeve diplomatike mes Athinës dhe Tiranës zyrtare, disa incidente të dhunshme janë regjistruar në Greqi kundër emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje. Si fillim, një grup shqiptarësh dhe grekësh u përplasën të hënën në Athinë, duke bërë që gjashtë të rinj të përfundonin në spital. Ndërsa në orët e hershme të së martës, një agjenci shqiptare udhëtimesh u sulmua me bomba zjarri të bëra në shtëpi. Sikur të mos mjaftonte kjo, raportet e mediave greke njoftuan se në një prej protestave të mbajtura në Selanik,është djegur flamuri shqiptar.

Protestë në Selanik

Kjo klimë tensionesh ka prekur në radhë të parë rreh 600,000 emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj. Por ndërkohë që përfaqësues të Agimit të Artë duket se po nxisin aktet e dhunës që kanë shpërthyer ndaj shqiptarëve në Greqi, disa figura të njohura të politikës greke kanë bërë thirrje për të ulur tensionet pas ngjarjes së Bularatit. Në një takim të Dhomës së Tregtisë së Athinës, deputeti Andreas Loverdos dënoi jo vetëm vrasjen e 35-vjeçarit, por edhe reagimin e dhunshëm të qytetarëve grekë. Pjesë e Dhomës së Tregtisë së Athinës janë edhe rreth 2.700 emigrantë shqiptarë, bizneset e së cilëve janë vënë në rrezik për shkak të klimës së tensionuar në vendin fqinj.

Duke deklaruar se sipërmarrësit shqiptarë janë vlerë e shtuar për Greqinë, Loverdos deklaroi: “Siç tha edhe më para presidenti i Dhomës së Tregtisë, para pak ditësh kishim një ngjarje në Shqipëri. Ishte një ngjarje e rëndë, humbëm një njeri atje. Por, duam që ato që ndodhën të mos ndodhin më. Dënojmë aktet e dhunës nga kushdo vijnë. Duam ama që të bëhet drejtësi. Të bëhet drejtësi dhe familja të ndihmohet për të mësuar të vërtetën. Duhet ama të dënojmë edhe aktet e dhunës që ndodhën këtu, kërcënimet, zjarrvëniet, të dënojmë djegien e flamurit dje këtu në qendër të Athinës. Ja këto janë mekanizmat e integrimit të lartë të emigrantëve këtu, të integrimit tuaj këtu. Jeni të mirëpritur dhe të nevojshëm. Jeni vlerë e shtuar për ne. Besoj se, nëse një biznes grek ka probleme, kur bëhet fjalë për një të huaj problemet shumëfishohen”, tha deputeti grek

Këtij rreziku i mëshoi edhe Ministria shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila e ka thirrur sërish të mërkurën ambasadoren e Greqisë në Tiranë, Eleni Surani. Pas ngjarjeve të fundit të ndodhura në Athinë, pala shqiptare i kërkoi autoriteteve greke të marrin masat e duhura për të garantuar jetën dhe pronën e shtetasve shqiptarë me banim në Greqi. MEPJ bën gjithashtu të ditur se ambasadores iu kërkua distancimi dhe në të njëjtën kohë, dënimi nga ana e autoriteteve greke ndaj këtyre akteve të rënda që cenojnë klimën e marrëdhënieve miqësore mes fqinjëve.

Protestë në Selanik

“Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Surani u thirr në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në lidhje me ngjarjet e ndodhura në Greqi, duke nisur nga alarmi për bombë pranë Ambasadës tonë në Athinë, djegia e bizneseve shqiptarë, protesta para ambasadës dhe konsullatës tonë si dhe djegia e flamurit kombëtar”, thuhet në njoftim.

Edhe pse si qeveria shqiptare ashtu edhe ajo greke kanë luftuar për të kapërcyer disa çështje, Shqipëria dhe Greqia vazhdojnë të kenë një sërë mosmarrëveshjes, që përfshinë çështjen Çame dhe kufirin detar mes dy vendeve.

Në një intervistë të dhënë dy muaj para dorëheqjes, ish-ministri  i jashtëm grek, Niko Kotzias ngrinte alarmin se opozita greke dhe Agimi i Artë reagonin në mënyrë histerike për çdo çështje që përfshinte vendin tonë. Ai shprehej se opozita greke nuk e kupton se Epiri i Veriut është pjesë e Shqipërisë dhe kërkon ndryshimin e kufijve.

Kostandinos Kaçifas 

“Unë mendoj se ne do t’i zgjidhim problemet dy palëshe, për aq kohë sa partitë e opozitës në të dyja shtetet të mos fillojnë të reagojnë në mënyrë histerike. Jam shumë i shqetësuar për deklaratat e opozitës greke. Ata thonë se po diskutojmë çështjen e Çamërisë, kur ne fakt ne nuk e kemi diskutuar fare. Në përgjithësi, partitë e opozitës tentojnë të nxisin paragjykimet që ekzistojnë në Greqi në lidhje me këtë çështje. Ata gjithashtu thonë se ne po braktisim Epirin e Veriut. Nëse opozita greke nuk e ka kuptuar ende, në traktatet ndërkombëtare dhe Aktin Final të Helsinkit, Epiri i Veriut është pjesë e Shqipërisë dhe nuk kemi ndërmend të ndryshojmë kufijtë. Këto janë psikoza që dëmtojnë vendin dhe nuk kanë të bëjnë fare me politikën europiane të dialogut dhe kompromisit. Ballkani, së bashku me Greqinë, e cila ka më shumë përvojë, duhet të ecin së bashku drejt një të ardhmeje evropiane”, shprehej Kotzias për “Euroactiv” .

Protestat dhe aktet e dhunës në Athinë vijnë si një këmbanë alarmi për palët politike në të dyja vendet, dukë treguar se problemet 100-vjeçare me Shqipërisë dhe Greqisë nuk do të jenë aq të lehta për t’u kapërcyer, sidomos për shkak të politikës ekstremiste të partive si Agimi i Artë. Vrasja e 35-vjeçarit  Kostandinos Kaçifas, pasi qëlloi me kallashnikov policinë shqiptare në Bularat të Gjirokastrës duket se ka hapur edhe njëherë plagët e vjetra mes Athinës dhe Tiranës. Ngjarja e rëndë erdhi në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve duket se ishim më të ngrohta se kurrë. Ish-ministri Kotzias dhe Ditmir Bushati ishin pranë zgjidhjes së çështjes së kufirit detar mes dy vendeve dhe ishin dakordësuar për tashmë disa çështje të tjera, veçanërisht ato që ndihmojnë emigrantët shqiptarë. Por pas largimit të tij, Kotzias duket se ka marrë me vete edhe frymën e bashkëpunimit. 

Protestë në Athinë

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë