Politike

Protesta, SHBA-BE-OSBE: Liderët politikë të shmangin dhunën

Kur na ndajnë edhe dy ditë nga protesta e opozitës në Tiranë, ndërkombëtarët kanë nisur të lëshojnë mesazhet e tyre drejt opozitës me mesazhin e qartë për të shmangur dhunën më 16 shkurt.
Në bllok selitë diplomatike të SHBA, BE, OSBE dhe Britanisë së Madhe janë shprehur nëpërmjet deklaratave se janë kundër dhunës dhe i bëjnë thirrje liderëve politikë shqiptarë ta refuzojnë atë.
Ambasada e SHBA-së në deklaratën e saj për protestën e opozitës më 16 shkurt kërkon që të refuzojnë dhunën dhe që këto protesta të zhvillohen të qeta.
“E drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar për ndryshim pozitiv janë simbole të një shoqërie demokratike të lirë dhe të shëndetshme. Është një e drejtë që ushtrohet shpesh në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kjo e drejtë duhet ushtruar paqësisht. Dhuna kundër njerëzve ose pronës është e papranueshme. Ne iu bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë përfshirë në protestën e së shtunës, dhe të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë, të refuzojnë dhunën dhe të sigurohen që protestat të zhvillohen paqësisht dhe në mënyrë konstruktive”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së.

https://www.facebook.com/usembassytirana/photos/a.446371155837/10156172554860838/?type=3&theater

Qëndrimi i BE-së
Mesazhi për protestës e 16 shkurtit u transmetua më herët nga ambasadori i delegacionit të BE-së, Luigi Soreca, i cili nëpërmjet një prononcimi për Deutsche Welle ka kërkuar që tubimi i opozitës të jetë i qetë.
“Ky është një moment me rëndësi për Shqipërinë në kuptimin që e drejta e tubimit, e drejta e fjalës, janë një pjesë thelbësore e çdo shoqërie demokratike. Por është gjithashtu e vërtetë që këto të drejta duhet të ushtrohen në mënyrë paqësore. Prandaj, presim një manifestim paqësor, që të mos kthehet në dhunë. Kjo është një thirrje për të gjitha palët e përfshira. Është e rëndësishme që të gjithë të jenë konstruktivë. Shqipëria duhet të fokusohet te detyrat që ka përpara dhe të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë. Nuk ka kohë për të humbur, është koha për të shprehur mendime dhe pastaj të mendojmë për të mirën e të gjithë shqiptarëve”, tha ambasadori Soreca.

Ambasadori i BE, Luigi Soreca duke folur për DW


“Nga deklaratat më të fundit të organizatorëve, kuptohet që ata duan të sigurojnë që do të marrin të gjitha masat për të bërë të mundur që siguria e qytetarëve të përfshirë të jetë e garantuar. Ky është lajm i mirë dhe shpresoj që të gjitha palët e përfshira do ta respektojnë”, shtoi ai.
Thirrja e BE për të shmangur incidentet e dhunës në protestën e të shtunës vjen kur opozita kërkon largimin e kryeministrit Rama, rënien e qeverisë së tij, formimin e një qeverie kalimtare me akademikë, për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme, që sipas opozitës qeveria Rama nuk mund t’i garantojë. Opozita akuzon qeverinë Rama se është e lidhur me krimin dhe ka fituar mandatin e saj të dytë, në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, me vota të vjedhura në Dibër, Lezhë, Durrës dhe Kavajë, bazuar në përgjimet e publikuara telefonike të prokurorisë.
I pyetur për gjasat që palët të bëjnë ҫmos për të shmangur dhunën, ambasadori Soreca theksoi: “Mendoj që të gjithë e duan Shqipërinë dhe të ardhmen. Dhuna nuk do t’i lejojë ata që dëshirojnë të flasin që zëri i tyre të dëgjohet. Dhuna nuk ndihmon në përçimin e mesazhit. Ndaj thirrja ime është për ta: Flisni pa dhunë dhe mesazhi juaj do të dëgjohet.

Deklarata e OSBE-së
Edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) shpreson që protesta politike e së shtunës nuk do të degjenerojë në dhunë. “Aspiratat e të gjithë qytetarëve shqiptarë kërkojnë një diskurs politik të pjekur dhe konstruktiv; trazirat nuk janë një rrugë e shkurtër për të ardhur në pushtet. Shqipëria ka parë boll dhunë politike në të shkuarën. Çdo kthim në atë kohë vetëm sa do të dëmtonte vendin, veçanërisht tani që ai futet në një periudhë katërmujore vendimtare, kur të gjitha përpjekjet dhe energjitë duhet t’i kushtohen organizimit të zgjedhjeve vendore, të cilat janë një provë e vërtetë për demokracinë”, thuhet në deklaratën e OSBE-së.

Reagimi i ambasadorit britanik
Për protestën e së shtunës ka pasur edhe një reagim nga ana e ambasadorit britanik në Tiranë, Duncan Norman, i cili kërkon që protesta të jetë paqësore.
“Britania e Madhe e shikon të drejtën për të protestuar si një të drejtë fondamentale të demokracisë. Megjithatë të tilla demonstrata me patjetër duhet të jenë paqësore nëse ato zhvillohen në mbështetje të demokracisë. Në u bëjmë thirrje atyre që do të përfshihen në protestën e të shtunës ta respektojnë këtë princip. Protestë paqësore”, shkruan Norman në Twitter.

Ndërkaq ambasada e Britanisë së Madhe nëpërmjet një postimi në Facebook, u bën apel shtetasve të saj britanik që të kenë kujdes të shtunën, pasi opozita do të zhvillojë një demonstratë të madhe.
“Partitë e opozitës kanë shpallur synimin e tyre për të mbajtur një demonstratë të madhe në qendër të Tiranës më 16 shkurt 2019. Ju duhet të kontrolloni mediat lokale për informacionet e fundit, jini vigjilentë dhe shmangni çdo demonstrim”, thuhet në njoftimin e ambasadës britanike.

Këto reagime të selive diplomatike erdhën pas deklaratës së lëshuar nga ana e Policisë së Shtetit, ku bëhej thirrje për shmangien e retorikave të cilat nxisin veprime kundër rendit dhe qetësisë.
Policia e Shtetit tha se ka informacione që në protestë do të marrin pjesë edhe individë që mund të kryejnë akte dhune. Albert Dervishaj, Drejtori i Rendit, në Policinë e Shtetit, u bëri një apel publik protestuesve që të ruajnë gjakftohtësinë gjatë zhvillimit të protestës. “Policia e Shtetit është duke u organizuar për mbarëvajtjen e tubimit duke bashkëpunuar me struktura brenda dhe jashtë vendit, me misionet policore të BE që janë në Shqipëri, me të cilat shkëmbejmë informacione. Ka indicie që individë të veçantë mund të tentojnë të kryejnë akte dhune. Thirrja ime si zyrtar i policisë është që secila palë të ruajë gjakftohtësinë. Policia do përpiqet të jetë garante e sigurisë. Nëse protesta përshkallëzohet do të veprohet në bazë të ligjit”, raporton DW.
Opozita ka kontestuar deklaratat e Policisë së Shtetit, duke e cilësuar si një skenar të kryeministrit Edi Rama për të prishur protestën e 16 shkurtit.
“Skenari për të përdorur policinë si vegël politike, është kriminal. Partia Demokratike garanton çdo qytetar për sigurinë e tij në datën 16 Shkurt. Shqiptarët do t’i bashkohen protestës së opozitës, sepse e dinë mirë që kriminelët dhe bandat janë me Edi Ramën dhe jo mes protestuesve. Ne do të protestojmë si njerëz të lirë dhe me dinjitet. Paralajmërojmë Policinë Politike të Edi Ramës të rrijë larg protestuesve! Të mos pengojë lëvizjen e lirë të tyre! Përndryshe, secili prej shërbëtorëve të skenarit kriminal të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore! Në Shqipëri ka vetëm një skenar destabilizimi. Ai është skenari i Edi Ramës për të qeverisur bashkë me krimin e organizuar, i cili blen vota dhe mandate për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. Koha për Edi Ramën është drejt skadimit!”, do të reagonte Gazment Bardhi, sekretari i Përgjithshëm i PD-së,
Opozita në Shqipëri ka paralajmëruar se të shtunën do të zhvillojë në Tiranë një protestë masive me sloganin ”Shqiptarët nuk janë të varfër, por janë të vjedhur”, me protestues nga i gjithë vendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë