Ndërkombëtarët i bëjnë apel të fortë opozitës një ditë përpara protestës, duke paralajmëruar që të mos ketë dhunë, pasi akte të tilla janë të paligjshme. Ambasada e SHBA-ve në një deklaratë për median ka kërkuar vetëpërmbajtje në protestën e 16 marsit.
“Pavarësisht se protesta paqësore është një shtyllë themelore e demokracisë, nxitja apo kryerja e veprimeve të dhunshme, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës publike, janë të paligjshme. Ne i nxisim të gjithë aktorët e demokracisë shqiptare që të ushtrojnë vetëpërmbajtje në protestën e 16 marsit”, thuhet në deklaratë.
Ndërsa ka rrëzuar pretendimet e opozitës se Parlamenti është ilegjitim, duke theksuar se zgjedhjet e 2017-ës janë të certifikuara.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara i konsideron Qeverinë dhe Parlamentin aktual të Shqipërisë të zgjedhura në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të vitit 2017, të njohura ndërkombëtarisht. Ne vlerësojmë punën e mirë që është bërë në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, si dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka ende punë për të bërë”, thuhet më tej.
SHBA gjithashtu në reagimin e tyre të fortë kanë dënuar edhe aktin e opozitës për dorëzimin e mandateve të deputetit, duke theksuar se mbështesin ata përfaqësuesit të Parlamentit, duke i dhënë mesazh kështu edhe deputetëve të opozitës që mos i pengojnë kandidatët në listat shumemërore.
“Ndërkohë që, ata ish anëtarë të Parlamentit të cilët vendosën të braktisin mandatet, hoqën dorë nga detyrimet e tyre ndaj qytetarëve shqiptarë, duhet të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre. Ne mbështesim të gjithë ata që vazhdojnë të jenë të përfshirë në procesin demokratik në Parlament, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, thuhet më tej në deklaratën e SHBA-së.
Apeli i BE-së: Jo dhunë, dialog politik
Për protestën e 16 marsit ka ardhur edhe reagimi i delegacionit të Bashkimit Europian, i cili rithekson rëndësinë e të drejtës themelore të të gjithë qytetarëve shqiptarë për të demonstruar.
“Kjo e drejtë është një shtyllë qendrore në çdo shoqëri demokratike, por duhet ushtruar në mënyrë paqësore, pa përdorur dhunën. Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme. Ne u bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë liderëve të partive që të tregojnë përgjegjësi për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave”, thuhet në reagimin e BE-së.
Ashtu si edhe SHBA, edhe BE-ja konteston dorëzimin e mandateve të deputetëve nga ana e opozitës, por duke theksuar se kjo dëmton procesin e integrimit në Bashkimin Europian. “Ashtu siç kemi deklaruar edhe më parë, konsiderojmë se vendimi për heqjen dorë nga mandatet parlamentare pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe ndikon në integrimin e vendit në BE – një perspektivë që e duan plotësisht 93% e qytetarëve shqiptarë. Ne vazhdojmë të mbështesim ata që janë të angazhuar në procesin demokratik në Parlament, gjithashtu në mbrojtjen e interesave të popullsisë shqiptare që dëshiron të vazhdojë të ecë drejt BE-së. Që prej qershorit të kaluar është bërë progres, veçanërisht në reformën në drejtësi, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar, por ka ende shumë punë për të bërë në tre muajt e ardhshëm”, thuhet në deklaratë.
Bashkimi Europian bën thirrje urgjente që të kapërcehet situata politike, duke ftuar partitë e mazhorancës dhe të opozitës që të ulen në një dialog.
“Tani është shumë urgjente që të kapërcehet situata politike aktuale duke krijuar një platformë kombëtare për dialog ndërmjet të gjitha palëve të interesuara, edhe duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme lokale të qershorit. Shqipëria ka nevojë për një dialog ndërpartiak për reformat më urgjente, duke përfshirë reformimin e kuadrit ligjor zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it”, mbyllet deklarata e delegacionit të BE-së.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





