Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama jo vetëm për manipulim të informacioneve se PD është kundër UÇK-së dhe Kosovës, por edhe si njeriu që ka nxitur ndarjen e saj.
I pyetur nëse deputeti i PD-së Bujar Leskaj i cili mori pjesë në protestën për mbështetjen e krerëve të UÇK-së kishte shkelur urdhërin e Berishës, ai tha se PD nuk ka dhënë urdhër për të marrë apo jo pjesë në protestë.
“Së pari, në lidhje me deklaratën e Bujar Leskajt, dua të theksoj se nuk ka pasur urdhër për të marrë pjesë apo për të mos marrë pjesë në protestën e Organizatës së UÇK-së”, deklaroi Berisha.
Berisha theksoi se ka shprehur konsideratat e tij ndaj kësaj kauze.
“Unë mbështes luftën e drejtë të udhëheqësve dhe luftëtarëve të UÇK-së dhe kam shprehur konsideratat e mia për këtë.”
Ai dënoi ashpër manipulimin që sipas tij po i bëhet kësaj kauze nga kryeministri aktual Edi Rama.
Berisha kritikoi qeverinë, që hodhi poshtë rezolutën për gjenocidin serb, duke cilësuar anëtarët e maxhorancës si antishqiptarë të betuar.
Ai kujtoi gjithashtu se ai personalisht ka mbështetur Kosovën dhe UÇK-në dhe ka dënuar barbarinë serbe, kurse kryeministri sipas tij shkonte me helikopter me qëllime të mbrapshta dhe tani hiqet si patriot.
“Të hedhësh poshtë rezolutën për gjenocidin serb tregon se je antishqiptar i betuar, një argat mjeran i nacionalizmit serb”, theksoi Berisha.
Sipas tij, shqiptarët kanë përjetuar dhunë barbare nga serbët dhe ky është një fakt i njohur historikisht.
“Shqiptarët kanë përjetuar dhunë barbare nga serbët. Trocky shkruante se Vardari ishte mbushur plot me trupa shqiptarësh pas betejës së Kumanovës”, kujtoi Berisha.
Ai përfundoi duke theksuar se gjenocidi ndaj shqiptarëve ka vazhduar gjatë gjithë historisë, përfshirë edhe periudhat më moderne.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



