Politike

Protesta për mbylljen e TikTok, Berisha: Rama s’ka të drejtë të privojë qytetarët nga një mjet komunikimi

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD-së, Sali Berisha është shprehur se tubimi i thirrur më 15 Mars pas vendimit të qeverisë për mbylljen e TikTok është një protestë kundër censurës.

Ai u shpreh se kurrë një kryeministër sipas tij s’ka të drejtë të privojë qytetarët nga një mjet komunikimi.

“Dua të rikujtoj një fjalë të presidentit Donald Trump, që në vlerësimin tim është deklarata më e fuqishme e jetës së tij.

Ai u tha amerikanëve para se të fitonte, se rreziku më i madh për kombin tonë nuk është Kina, nuk është Rusia, ata janë, por rreziku më i madh është armiku i brendshëm. Ai armik që lartësonte flamurin e censurës, që ngrinte në institucionet e vendit të lirisë zyrat e censurës.

Kompanitë e mëdha, që bënë revolucion në komunikimin në shoqërinë njerëzore, u rikthyen tek censorët dhe krijuan shtabet e censurës.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, në një vizitë blic në Shqipëri, të vetmen marrëveshje që firmosi ishte marrëveshja për censurën me ministrin e Jashtëm. Pse ky reagim? Sigurisht duhet ta pranojmë, TikToku është një mjet jashtëzakonisht tërheqës dhe komod për komunikimin.

Por akti i bllokimit të tij për faktin se me TikTok, të rinjtë po e kritikonin dhe e përqeshnin Edi Ramën, është një akt brutal, është një intolerancë e tij ndaj mendimit ndryshe.

Për më tepër, Edi Rama mori shkas për bllokimin e tij një shkak të rremë, një pretekst të rremë. Ai tha se i ndjeri Martin Cani u vra nga shoku i tij sepse u zunë në TikTok.

Por kompania deklaroi botërisht se as Martini, as shoku i tij nuk kishin llogari në TIkTok. Kjo është arsyeja pse ne protestojmë. Ne protestojmë kundër censurës, pasi kurrë një kryeministër nuk ka të drejtë të privojë qytetarët e vet nga një mjet komunikimi.

Ky bënte atë që bënte Enver Hoxha me Zërin e Amerikës që i vinte zhurmues në 4 anët, apo me televizionet italiane që u vinte zhurmues në mënyrë që njerëzit të mos dëgjonin të vërtetat nga këto mjete”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë