Ka ndodhur

Protesta / Shpallet në kërkim reperi Stresi me 7 të tjerë, arrestohen 3 persona

Policia ka shpallur në kërkim Arkimed Lushajn, i njohur me emrin “Stresi” për protestën e djeshme në Tiranë së bashku me 7 persona të tjerë.

Po ashtu janë arrestuar deri më tani 3 persona dhe janë proceduar 4 të tjerë.

Policia thotë se në pranga kanë përfunduar shtetasit Robert Poshnjari, Altin Koçi dhe Vilson Kulemani si dhe janë shpallur në kërkim Akimed Lusha, Darvin Zalla, Arbër Koka, Klint Lamaj, Admiral Rama, Din Dogjani, Blerim Hoti dhe i mituri me iniciale F. B.

Sipas policisë, këta shtetas ditën e djeshme, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, duke kundërshtuar me dhunë dhe goditur me sende të forta punonjësit e policisë si dhe në vende të ndryshme kanë shkatërruar pronën shtetërore dhe atë private.

“Gjithashtu kanë qëlluar herë pas herë në drejtim të forcave të Policisë, me sende të forta, lëndë piroteknike duke lënduar 16 punonjës policie në detyrë. Punonjësit e lënduar janë efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së ndërhyrjes së shpejtë.  Si dhe kanë thyer me gurë disa automjete të policisë”, vijon më tej njoftimi i policisë.

Ndërkohë, vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar për pjesëmarrjen në këtë tubim dhe për kryerjen e veprimeve te kundërligjshme.

Ndër të tjera, Policia e Shtetit apelon për respektim në maksimum të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe u bën thirrje qytetarëve që problematiken dhe shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente, pa krijuar grumbullime, pasi grumbullimet dhe tubimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID -19.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë