Gjykata e Lezhës ka liruar katër personat e arrestuar pak ditë më parë në lidhje me protestën e zhvilluar pranë fshatit Thirrë të Mirditës, ku protestonin kundër ndërtimit të HEC-it dhe fabrikës së ujit.
Mësohet se prokurori Françesk Ganaj, ka kërkuar burg për të 4 të arrestuarit, ndërsa gjykata në fund vendosi “detyrim paraqitje”.
Gjykata, la të lirë organizatorin e protestës, Besnik Paçi, 48 vjeç, banues në Lezhë dhe 3 aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje: Etnik Berisha, 22 vjeç, Endrit Bytyqi, 21 vjeç dhe Çlirim Gerbeshi, 22 vjeç, banues në Kosovë.
Ndërkohë, jashtë gjykatës ndodheshin dhjetëra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe forca të shumta policie, të cilat ishin të pranishme për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme.
Por në një deklaratë për mediat jashtë gjykatës, avokati i të ndaluarve, Astrit Gjika, u shpreh se ata nuk po protestonin, por po bënin një deklaratë për shtyp.
Nga ana tjetër, ai akuzoi se marrja e ujit të lumit në fjalë, është një katastrofë ekologjike, pasi lë shumë banorë pa ujë.
Katër protestuesit, u arrestuan pas zhvillimit të tubimit të paligjshëm në afërsi të tunelit të Kalimashit, duke bllokuar Rrugën e Kombit për disa minuta në aksin Milot-Morinë.
Policia tha se ata kundërshtuan me dhunë efektivët, të cilët po tentonin të zhbllokonin qarkullimin e mjeteve. Një ditë protestës në Rrugën e Kombit, policia informoi se do të hetojë në gjendje të lirë 33 persona, të cilët më herët i kishte shoqëruar në komisariat.
Nuk është hera e parë që banorët e fshatit Thirrë protestojnë për ndërtimin e HEC-it në zonë, pasi sipas tyre, dëmtohet mjedisi dhe shkatërrohen burimet ujore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




