Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, ka paralajmëruar shtetasit amerikanë që të shmangin protestën që pritet të organizohet këtë të mërkurë në orën 17:00 para kryeministrisë kundër rritjes së paralajmëruar të çmimit të energjisë dhe produkteve të tjera ushqimore.
Më herët, apeli për kujdes, niste me fjalinë se “Partia Demokratike e Shqipërisë ka njoftuar se do të mbajë një protestë pranë zyrës së Kryeministrit”. Por më vonë, në faqen zyrtare të ambasadës, mund të shihet që ky njoftim është përditësuar.
Fjalia ku përmendej se protesta e sotme ishte lajmëruar nga PD, është korrigjuar, duke e hequr emrin e Partisë Demokratike.
“Një protestë është njoftuar se do të mbahet pranë selisë së kryeministrisë. Qëllimi i deklaruar është kundër rritjes së kostos së energjisë elektrike në Shqipëri. Kjo protestë mund të zhvendoset në zona të tjera në Tiranë, ose tubime të ngjashme mund të mbahen në zona të tjera të qytetit. Kohëzgjatja e tubimit të pritshëm është e panjohur. Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin çdo tubim të madh në qytet”, - thuhet në njoftim.
Në njoftimin në faqen e saj zyrtare, ambasada porosit qytetarët e saj që të kenë kujdes, sepse protesta mund të jetë paqësore, por situatat mund të ndryshojnë në mënyrë të paparashikueshme.
“Ndërsa shumë organizime të mëdha publike mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve vendore të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit”, - vijon njoftimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.